Lajme
VIDEO: Prokuroria e Hagës hoqi dorë nga mbi 100 dëshmitarë? ZPS thotë se kanë mbetur edhe 144 dëshmitarë për t’u dëgjuar
Demokracia
08:25 | 22 Shkurt 2024

Share:

Në një seancë shtesë të mbajtur dje lidhur me ecurinë e çështjes në procesin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”, nga gjitha palët në procedurë u diskutuan planifikimet lidhur me kalendarin, kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe planifikimet e tjera në këtë proces gjyqësor.

Pak para fillimit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në shkurt të vitit 2023, Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës kishte bërë të ditur se ka siguruar 312 dëshmitarë në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Numri i dëshmitarëve që ishte parashikuar të dëshmonte ishte më i madh se në rastin e ish-kasapit serb të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, dje ia ka kujtuar prokurorit të Dhomave të Specializuara se premtimi i tyre ishte që marrja në pyetje e dëshmitarëve do të duhej të përfundonte në prill të vitit 2025.

“Pjesa tjetër ka të bëjë kryesisht me ZPS-në. Ka kaluar thuajse gati një vit që nga koha kur kemi filluar këtë çështje gjyqësore dhe kur filluam, nuk e di nëse keni qenë ju apo dikush tjetër nga prokuroria, por ju keni thënë që vlerësoni që do të përfundoni marrjen në pyetje të dëshmitarëve në prill të 2025”, ka pyetur ZPS-në, kryegjyqtari Charles Smith.

Kryegjyqtari Charles Smith ka vazhduar me konstatimet e tij dhe ankesat në vonesat e procesit gjyqësor.

“Mesatarisht, ndoshta matematikën nuk e kam të saktë, por ishte e planifikuar që të ishin 600 orë, dmth që pak-a-shumë janë përdorur 7 orë për dëshmitarë dhe në qoftë se do të bëjmë mesataren e 7 orëve për dëshmitarë është e pamundur që të thirren 300 dëshmitarë brenda afatit që ju keni parashikuar. Sa dëshmitarë ju mendoni që do të thërrisni në sallën e gjyqit”, e ka pyetur kryegjyqtari Smith, prokurorin Metthew Holing.

Prokurori Holing duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Smith ka treguar se kanë mbetur edhe 144 dëshmitarë për t’u marrë në pyetje.

“Numri i mbetur është 144. Këtu përfshihen edhe dëshmitarët viva-voce. Numri i saktë është numër që nuk mund të japim dot tani. Ne synojmë të përdorim me efikasitet kohën, të kemi më shumë kohë në dispozicion, më shumë seanca. E pranoj që duhet të jemi më të shpejt në çështjen tonë. Dhe të harmonizojmë gjykimin. Kemi shkurtuar rreth 55 orë prej qershorit”, ka thënë prokurori Holing.

Deri më tani janë dëgjuar 46 dëshmitarë dhe nëse sipas prokurorisë do të thirren edhe 144 dëshmitarë, atëherë mund të konstatohet se prokuroria ka hequr dorë nga mbi 100 dëshmitarë, nga numri fillestar që ata kanë parashikuar të thërrasin e që ishte 312 dëshmitarë. /Demokracia.com/

𝐕𝐈𝐃𝐄𝐎: 𝐏𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐇𝐚𝐠ë𝐬 𝐡𝐨𝐪𝐢 𝐝𝐨𝐫ë 𝐧𝐠𝐚 𝐦𝐛𝐢 𝟏𝟎𝟎 𝐝ë𝐬𝐡𝐦𝐢𝐭𝐚𝐫ë? 𝐙𝐏𝐒 𝐭𝐡𝐨𝐭ë 𝐬𝐞 𝐤𝐚𝐧ë 𝐦𝐛𝐞𝐭𝐮𝐫 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝟏𝟒𝟒 𝐝ë𝐬𝐡𝐦𝐢𝐭𝐚𝐫ë 𝐩ë𝐫 𝐭’𝐮 𝐝ë𝐠𝐣𝐮𝐚𝐫

Posted by Demokracia on Wednesday, February 21, 2024

Të ngjashme