Lajme
(VIDEO) Ligji për Festat Zyrtare po ndryshohet | Kurti nuk e mban premtimin, 28 Nëntorin e lë festë të rangut të dytë
Demokracia
10:27 | 13 Qershor 2022

Share:

“Shteti i kapur i Kosovës, i ka mbuluar muralet kombëtare në Kuvendin e Republikës dhe e ka bërë 28 Nëntorin ‘Ditë Memoriale’, si festë e rangut të dytë”.

Kështu thoshte me zë të lartë, para mijëra qytetarëve Albin Kurti, më 28 nëntor 2015, në protestën kundër ‘Zajednicës’ dhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, shkruan Demokracia.com.

Jo vetëm Kurti, por edhe zyrtarët e tjerë të Vetëvendosjes deklaronin se qeveritë kishin hequr dorë nga të gjitha vlerat kombëtare, por me ardhjen e LVV-së në pushtet, kjo ditë do të bëhej festë zyrtare.

Premtimi i Albin Kurtit se me Vetëvendosjen, fituese të zgjedhjeve, 28 Nëntori do të vendosej në vendin meritor, si festë zyrtare në Republikën e Kosovës, po mbetët i tillë, vetëm si një premtim i radhës dhe i papërmbushur.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të vendosë për rendin e ditës të seancës së radhës, ku pritet të votohet edhe pika e papërfunduar nga seancat e kaluara për “Shqyrtimin e parë të Projektligjit Nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës”.

Në këtë projektligj pritet që të shtohet numri i Ditëve Memoriale në Republikën e Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kurti ka miratuar edhe dy data të reja që do t’i shtohen ditëve memoriale. “Qeveria e Kosovës ka miratuar mendimin e Qeverisë që në ligjin për festa zyrtare të shënohet ’24 Qershori – Dita e Egjiptianëve’ dhe ’26 Korriku – Dita e policëve të rënë në detyrë’, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 11 gusht 2021.

Edhe pse Vetëvendosje tani po e udhëheq e vetme me Qeverinë dhe në Kuvend ka deputetë me bollëk, Kurti nuk e përmendi askund 28 Nëntorin, për të cilën thoshte se “Shteti i kapur i Kosovës… e ka bërë 28 Nëntorin ‘Ditë Memoriale’, si festë e rangut të dytë”.

Siç duket, Kurti dhe Vetëvendosje nuk po e shfrytëzojnë këtë mundësi që edhe 28 Nëntori të bëhet festë zyrtare e ‘rangut të parë’.

Më 28 nëntor 2015, Kurti thoshte në sheshin “Zahir Pajaziti” se “Me 28 Nëntor ne festojmë duke protestuar dhe protestojmë duke festuar”. Por, që nga koha kur është bërë kryeministër nuk e ka festuar 28 Nëntorin në mënyrë meritore, si festë zyrtare dhe të rangut të parë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme