Lajme
VIDEO| Kosova në duar të super-nxënësve! Përmbledhje e lavdatave të ish-mësimdhënësve për politikanët
Demokracia
13:04 | 15 Prill 2022

Share:

Krenaria më e madhe për mësimdhënësit është kur nxënësit e tyre bëhen të suksesshëm në jetë.

Për ta kanë veç lëvdata.

E në rastet kur këta të fundit bëhen drejtues shteti, mësuesit kanë super-lëvdata.

Sidomos, kur iu jepet rasti të flasin në publik, apo për medie.

Lëvdatat për presidenten, Vjosa Osmani

Më i fundit, është Adem Çollaku, mësimdhënësi i presidentes, Vjosa Osmani që e priti ish-nxënësen në vizitë në shkollë, Ai, tha se i duhej përgatitje shtesë para se të mbante orë, meqë ajo ishte shumë kureshtare për mësim.

“Për Osmanin, ndoshta Vjosa ka qenë shkaktari kryesor që mua më është dashtë ndoshta edhe nga 2 apo 3 orë me u përgatit më tepër se që duhet me u përgatit”, tha ish-mësuesi i saj, përderisa e para e shtetit po vizitonte dje vendin e saj të lindjes.

Lëvdatat për kryeministrin, Albin Kurti

Qemajl Kastrati, i cili ishte mësues i kryeministri Albin Kurtit në lëndën e fizikës, kujtonte se ish-nxënësi kurrë nuk i erdhi në mësim i papërgatitur.

“Shumë i mirë dhe i dëgjueshëm. Ka qenë shumë i respektueshëm, i drejtë dhe i sinqertë me të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit”, kishte thënë ai për Klan Kosova.

Ndërkohë, në shkollën fillore “Naim Frashëri”, ku Kurti vijoi mësimet, mësuesit kishin thënë se si Albini nuk do të ketë më nxënës.

“Unë i kam pyet disa mësimdhënës që i kanë dhënë mësim dhe sa herë që ka gara ata thonë se si ‘Albini nuk do të ketë më nxënës’”, pati thënë Drita Qorolli, drejtoreshë e asaj shkolle.

Sa i përket studimeve të kryeministrit në Fakultetin Teknik, në drejtimin Telekomunikacion dhe Informatikë, i pari i Qeverisë ishte kandidati i parë që plotësoi testin pranues qind për qind.

Këtë e rrëfen Salem Lepaja, profesor i Kurtit në atë kohë.

“Albin Kurti ishte i pari në regjistër me pikët maksimale nga shkolla e mesme dhe provimi pranues. Numri maksimal i pikëve ishte 300 e Albini i kishte marrë të gjitha”, ka treguar Lepaja.

Kulmi për Lepajën ishte kur në vitin e tretë të studimeve, Albin Kurti bëhet studenti i cili e kalon lëndët e tij në afatin e parë dhe me notën 10.

“Në vitin 1995 kur kam mbajtur dy lëndë: Teoria e Telekomunikacionit I dhe Teoria e Telekomunikacionit II. Këto lëndë për mendimin tim dhe të tjerëve kanë qenë më të vështirat gjatë studimeve. Është rasti i parë që një student hyn në këto dy provime dhe i merr notat dhjetë”, tregoi më tej Salem Lepaja.

Lëvdatat për ish-presidentin, Hashim Thaçi

Për ish-presidentin, Hashim Thaçi pati folur ish-mësuesi i tij i gjuhës shqipe, Zymer Hasani.

“Ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, i edukuar mirë, ka qenë nxënës që kurrë nuk ka ditë ta ngacmoj askënd, por nuk ka duruar ta ngacmoj askush. Të gjitha notat i kishte të shkëlqyeshme, i edukuar ka qenë shumë i sjellshëm”, ka thënë ai.

Hasani tutje kishte treguar edhe një detaj më interesant; se si Thaçi e kishte marrë nofkën “Gjarpri”, pas një veprimi në orën e biologjisë.

“Ne e kemi pasur profesorin e biologjisë, ai e mbante gjarprin në kabinet. Dhe, atë ditë që kishte të shpjegonte për gjarprin, e kishte nxjerrë atë dhe e ka vendosur mbi tavolinë e u thotë nxënësve:  ‘A guxon kush me e kap gjarprin me dorë?’. Askush nuk ka guxu, por ai ia ka ngjitë gjarprit e ka kap me dorë”, ishte shprehur Hasani.

“Arsyetimet” për ish-presidenten, Atifete Jahjaga

Ndërkohë ish-mësuesi i Atifete Jahjagës ishte vënë në siklet, duke arsyetuar notat e dobëta të ish-presidentes, pasi u publikuan në internet.

Sahit Elshani pati treguar për se çfarë nxënëseje  ishte Atifete Jahajaga.

Ai thotë se ajo ishte shembull për edukatë, ndërsa e cilëson të ulët publikimin e notave të saj. Për këtë, ai thotë se ishte pasqyrim i vetëm një periudhe të shkurtë të suksesit të saj.Ish profesori i presidentes, thotë se në atë kohë të gjithë nxënësit kanë mësuar me një përkushtim të madh.

Lëvdatat për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj

Profesori i gjeografisë, Bajram Dacaj  kishte ndarë kujtime për kreun e AAK-së, që dikur e kishte nxënës.

Ai pati thënë se Haradinaj ka qenë nxënës shembullor me të gjitha pesëshe.

“Haradinaj ka qenë nxënës shembullor, që nga klasa e parë e deri në gjimnaz i ka pas të gjitha 5-she. Kjo dëshmohet edhe në dëftesat e tij. Vëllezërit Haradinaj kanë qenë nxënës shumë të sjellshëm e të urtë. Nuk kam pasur nevojë me ju tërhjek vërejtjen asnjëherë”, ka thënë Dacaj.

Lëvdatat për ish-kryeministrin,  Avdullah Hoti

Mësuesi, Bilall Hoti, e kishte lavdëruar ish-nxënësin e tij, Avdullah Hotin kur ky i fundit ishte bërë kryeministër.

Përveç vlerësimit të madh për të gjatë qëndrimit në shkollë, kishte ndarë përvojë edhe nga jashtë saj.

“Vazhdimisht kur ka shku me dele, librin e ka pas me vete. Edhe une e kam fushën andej, e më ka ra me e pa”, pati thënë mëdhënësi Hoti.

Të ngjashme