Lajme
VIDEO| Deputeti i LVV-së buzëqesh teksa një i moshuar flet kundër Amerikës
Demokracia
14:23 | 18 Qershor 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është shfaqur në një video ku një person thotë se nuk iu intereson se çka thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas situatës dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Në një video të publikuar në rrjetin social “Tiktok”, ligjvënësi i pushtetit shihet në një incizim në mes të dy personave.

Nga krahu i tij i majtë, një person i moshuar dëgjohet duke thënë se “ne jemi shtet dhe ushtrojmë sovranitet”.

Një deklaratë e tillë vjen pas qortimeve të ShBA-së dhe BE-së karshi Kosovës për “veprimet e njëanshme” në komunat veriore të Kosovës, ku kryetarët e rinj po kundërshtohen nga serbët lokalë.

Për pasojë, 30 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Janë sulmuar edhe dhjetëra gazetarë e pjesëtarë të mediave, bashkë me Policinë e Kosovës. Por, qytetari në video thotë se “neve nuk na ninë çka thojnë as amerikanët e as të tjerët”.

Teksa thotë këto fjalë personi në video, Bajqinovci shihet duke buzëqeshur dhe duke u pajtuar në njëfarë forme për këto deklarata, raporton Paparaci.

“Na jena na, na jemi shtet, ushtrojmë sovranitet. Neve hiç nuk na ninë çka thojnë as amerikanët as tjerët. Na jemi shtet, na e kemi bo luftën”, thotë qytetari në video, të cilën mund ta gjeni më poshtë.

Nga ana tjetër, tensionet në veri nisen qysh nga 26 maji, pasi grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe. ShBA-të dhe BE-ja kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që kryetarët e rinj të punojnë në vende alternative dhe jo në objektet komunale.  Po ashtu, ata po kërkojnë nga Kosova të organizojë zgjedhje të reja në veri, si dhe t’i kthehet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se nuk mund “të bëjë kompromise me republikën demokratike” dhe se objektet komunale në veri janë pronë e shtetit.

Opozitarët kanë pasur kritika të shumta ndaj pushtetit. Thonë se me veprimet e Kurtit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së janë acaruar. Megjithëkëtë, BE-ja ka përgatitur një sërë masash ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në pjesën veriore.

Masat e marra ndaj shtetit tonë rrezikojnë projekte milionëshe, “por nuk pritet të ndikojnë në procesin e integrimit evropian”.

Të ngjashme