Lajme
VIDEO| Ankthi i pritjes për eshtrat e djalit
Demokracia
20:19 | 28 Prill 2023

Share:

Asnjë zyrtar institucional e hetues, nuk shkeli derën e familjes së Armend Merlakut, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur u vra nga forcat serbe. E zhgënjyer me këtë është nëna e tij, e cila ruan letërnjoftimin e esetë, që Armendi kishte shkruar para se të vritej, tek thotë se dhimbja do t’i lehtësohej po t’i gjendeshin eshtrat e djalit të saj.

“Vështirë është të shkruash për Kosovën, për gjakun që nuk falet. Hallet dhe vuajtjet e popullit shqiptarë përditë e më shumë po shtohen. Kosova po i kalon ditët më të vështira të jetës së saj. Mendoj: Dritë do të bëhet! Dritë do të agojë!”.

Këto janë fjalët e fundit që Armend Merlaku, 16 vjeçar i shkroi në këtë copë letre. Kjo ese e dokumentet e tij janë nga gjërat e pakta që ai ia la nënës së tij para se të vritej nga forcat serbe në 1999.

“Edhe ma ka dhënë letërnjoftimin, tha nanë ruma këtë letërnjoftim, letërnjoftimin ja ruajta po atë nuk mujta…”.

Armendi gjatë luftës ishte 16 vjeç dhe bashkë me të u vra edhe babai i tij, në masakrën e fshatit Pastasellë të Rahovecit, pasi që kishin shkuar të strehoheshin në këtë fshat.

Por edhe pas 24 vitesh, familjarët qajnë e vendosin lule pranë varrit të zbrazët, për shkak se eshtrat e tij nuk u gjetën asnjëherë.

Fjalët që shkroi në këtë fletore, nëna e tij i ruan me shumë kujdes, tek thotë se plagën sadopak do t’ia shëronte, gjetja e një cope ashti që i përket djalit të saj.

Nurije Merlaku, nëna e Armendit ka thënë se “Mbas 3 javë pasi i kanë shti në dhe i kanë marr i kanë hek prej dheut aty serbët dhe i kanë ngarku në kamiona edhe i kanë shpërndarë ka kanë dashur vetë ata, po thojnë shumë janë kanë masakra, edhe shumë tani i kanë marr, por a e kane djeg djalin tem, të gjallë a masi e kanë vra, aty spo muj me ditë, se 6 vetë i kanë shti me një vorr e ata nuk e kanë dit kush janë se skanë pas dokument, edhe skanë mujt se kejt djegun jon kanë, edhe kurr ma unë për djalë skam kurrfarë lajmi për ta…Ma vështirë për nanë a ka me shti në dhe e dinë që e ke shti, po kërkun një cop asht mja gjet mja shti në dhe e mja qit një lule, si nanë është vështirë por prap më dokt me lehtë”.

Merlaku mes lotësh, shton se institucionet nuk po punojnë sa duhet, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

Nëna e Armendit tutje tha se “Pos më ka mbetë, dy harime që i ka bërë, janë gjet ato në shkollë, në shtëpi private që kanë mësuar, edhe janë gjetur ato hartime, si ka pas 15 ditë para se me dalë prej shpijave, me i lexu ato hartime krejt i kish pas shkruar për luftë, si me dit që po do me vdekë, ata e ruaj edhe qat leternjoftim që ma ka shti me dorë, të vetë, e më ka thënë ruama, e unë qata po ja ruj po djalin kërku as një cop asht, e kërkush sen nuk është duke bërë”.

Në masakrën e Pastasellës u vranë e u masakruan 106 persona nga vende të ndryshme të vendit, teksa në tërë Kosovën edhe mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Të ngjashme