Lajme
Vetura e stërmbushur me armë në Zveçan me targa BG: Kosova e quan “terrorizëm”, Serbia “film vizatimor”
Demokracia
13:14 | 25 Qershor 2023

Share:

“Film vizatimor” e quajti Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veturën e tipit Audi me targa të Beogradit (BG) e cila u identifikua dhe u kap nga Policia e Kosovës me një sasi të madha armësh dhe mjetesh vdekjeprurëse në afërsi të ndërtesës komunale, ngjarje kjo që nga shteti kosovar u vlerësua për planifikim të një “sulmi terrorist” si dhe “përpjekje dhe organizime terroriste” ndaj rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vuçiq e mohon këtë ndërsa thotë se “BIA ka informuar ditë më parë një shërbim më të madh në botë të inteligjencës” se gjoja kjo është “planfikuar” nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Policia e Kosovës bashkërisht me Agjencionin Kosovar për Inteligjencë (AKI) 100 metra afër objektit të ndërtesës komunale në Zveçan identifikuan dhe ndaluan një veturë të llojit Audi me targa të Beogradit (BG), ku përbrenda saj kishte një masë të madhe armësh vdekjeprurëse, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, madje kanë thënë se kjo sasi armësh ishte vetëm “njëra pjesë…e një kontigjenti më të madh” të armësh të cilët janë futur në Kosovë nga struktura dhe grupime kriminale në veri e që adresë përfundimtare e kanë Beogradin zyrtar, shkruan Nacionale.

Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës ‘Severna Brigada’, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohon në plotni një gjë të tillë, teksa pretendon se kjo gjë “është e planifikuar”. Madje, ai propagandon se “edhe e tërë bota e di që ka qenë montim”.

“BIA më dërgoi letër një ditë para kësaj dhe pastaj edhe shërbimit më të madh të inteligjencës në botë, me atë se çfarë Kurti dhe Sveçla po bëjnë dhe duan. Ishte si në filma vizatimor, por mbase dikush u ka treguar se i kemi zbuluar”, ka thënë Vuçiq në Tv Pink derisa e quajti edhe si “skriptë për film vizatimor”.

Ka shumë miniatura shahu aty, kemi mësuar shumë dhe shërbimet tona kanë bërë përparime në punën e tyre”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke folur në një konferencë për media nga Kampi Belvedere në Mitrovicë të Jugut ku edhe ekspozuan armët e kapura në Zveçan, tha se u “parandalua një sulm terrorist” derisa shtoi se ditëve në vijim do të kërkojë nga qeveria kosovare që organizatat si “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” të shpallen organizata terroriste; në mënyrë që luftimi i tyre nga shteti kososovar “të jetë më efikas”.

Puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangën një sulm terrorist ndaj Kosovës. Siç edhe jeni njoftuar mbrëmë u identifiku një makinë me targa të Beogradit rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit, ku janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë zolla, osa, armë automatike, shok bomba , uniforma dhe çanta ushtarake”, ka thënë Sveçla.

Vetura në fjalë, tregoi Sveçla, është në pronësi të shoqërisë aksionare publike “Hekurudhat e Serbisë” ndërsa tha se “panorama është e qartë” se Beogradi është adresë e këtyre “përpjekjeve terroriste”.

Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. E gjithë kjo është një dëshmi e radhës që presidenti serb përmes këtyre grupe po tenton destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë më tutje ai.

Që nga paslufta Republika e Kosovës ka vijuar që të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar. Sidomos në kohët e fundit kanë intensifikuar sulmet terroriste ndaj PK-së, veturave të tyre, stacioneve policore, sulmet ndaj pjesëtareve të KFOR-it, EULEX-it si dhe gazetarëve e deri tek brutaliteti ndaj qytetarëve tanë në veri të vendit”, tha ai.

Të ngjashme