Lajme
Vetëvendosje e zëvendëson Nagip Krasniqin në KEK me një tjetër njeri të saj, u.d. kryeshef emërohet Bekir Gerguri
Demokracia
18:36 | 21 Shkurt 2024

Share:

Qeveria Kurti po vazhdon me kapjen e Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK). 

Demokracia.com ka mësuar se u.d. i kryeshefit të KEK-ut është emëruar Bekir Gërguri, njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Redaksia ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e KEK-ut, Skender Bucollin, por deri më tani nuk ka marrë ende përgjigje.

Momentalisht, kryeshef i KEK-ut, edhe pse i pezulluar ishte Nagip Krasniqi, i cili vazhdon të përballet me akuza për keqpërdorim të detyrës.

Përkundër akuzave në lidhje me dallavere në disa tenderë njëburimor, Nagip Krasniqi nuk u shkarkua asnjëherë.

Ai u pezullua nga kjo pozitë dhe tash e disa kohë e ka edhe të ndaluar të afrohet në zyrën ku kishte punuar si kryeshef i KEK-ut.

10 muaj më parë ishte arrestuar Nagip Krasniqi me urdhër të Prokurorisë Speciale me akuzat se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Në mbrojtje të tij, përkundër akuzave, i kishte dalë edhe kryeministri Albin Kurti, duke u ankuar pse Prokuroria po merret kaq shumë me Nagip Krasniqin.

Nga salla e Kuvendit, Kurti kishte thënë se Prokuroria nuk është marrë me rastet e kaluara në KEK, duke mbrojtur kështu kryeshefin e arrestuar të KEK-ut.

“Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut. Tash ai është në ndalim dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështjen e tij. Kjo çështje ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt që pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit. Ne e dimë që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse, por që nuk janë trajtuar nga prokuroria. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetra fakte, dëshmi materiale, për keqpërdorime që ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero, e zelli i Prokurorisë për tu marrë me kryeshefin që i solli fitime KEK-ut ka qenë maksimal”, kishte thënë Kurti./Demokracia.com/

 

Të ngjashme