Lajme
Veteranët të painformuar për vendimin e Eco-Higjienës, drejtori vetëm i thirri për kafe
Demokracia
16:13 | 16 Maj 2022

Share:

Që nga 1 korriku, kategoritë që kanë qenë të liruara nga pagesa e shërbimeve prej kompanisë “Eco-Higjiena” në Gjilan, Kamenicë e Viti, do të obligohen të paguajnë për to.

Përmes një vendimi që ka marrë bordi i ri i kompanisë së pastrimit “Eko-Higjiena”, që nga 1 korriku, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës dhe familjet me asistencë sociale do të detyrohen të paguajnë shërbimet që ofron kjo kompani.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com thuhet se tash e 10 vite këto kategori nuk kanë paguar shërbime ndaj kësaj kompanie, sepse kanë qenë të liruara me vendim të komunës. Mirëpo, sipas dokumentit, nga 1 korriku do të detyrohen të paguajnë për shkak, siç thuhet në dokument, krizës së shkaktuar nga pandemia, luftës në Ukrainë dhe humbjeve prej më shumë se 1 milion euro që i është shkaktuar kësaj kompanie nga lirimi i këtyre kategorive.

Në lidhje me këtë vendim, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Gjilan, nuk është e njoftuar.

Xhevdet Mehmeti, kryetar i OVL UÇK-së dega në Gjilan, ka thënë për Demokracia.com se askush nuk i ka dërguar asnjë shkresë për këtë vendim. Por, siç theksoi ai vetëm drejtori i kompanisë e ka telefonuar dhe i ka thënë se dëshiron që ta pijë një kafe me të.

Mehmeti thotë se një vendim i tillë do të rëndonte edhe më shumë situatën e këtyre familjeve.

“Drejtori më ka marrë në telefon javën e kalume. Edhe për shkak të agjendës së homazheve që kemi pasur pandërprerë hiq s’kam mujt me e takue. Unë këtë informatë nuk e kam. Se në Kuvend Komunal është votuar kjo, sa ka qenë Bajram Isufi drejtor, që me u liru këto kategori. E këtë për me u shfuqizu ky vendim, sa kam njohuri unë, normal që komuna, Kuvendi komunal duhet me u qit me u votu kjo për me u hjek. Është e rëndë kjo, se shembull veterani i merr 170 euro, por nëse vdes veterani, gruaja me fëmijë 4-5 fëmijë i ka 119 euro për një muaj. Është e rëndë. Unë do të provoj pasdite nëse mundem me kontaktu me drejtorin, se drejtori paraprakisht me një shkresë është dashur të paktën me m’njoftu, me e ditë se çka po ndodh, por jo nuk më ka thënë asnjë gjë, veç m’ka thënë mundësisht javën e ardhshme pimë kafe kur të kesh kohë, a këtë vendim që e ka marrë unë me shkrim s’kam kurrgjë”, ka thënë Mehmeti për Demokracia.com.

Për këtë vendim të kompanisë Eco-Higjiena nuk janë në dijeni as asamblistët e Gjilanit.

Sami Ahmeti, asamblist nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për Demokracia.com se nuk është në dijeni për një vendim të tillë, por siç theksoi ai, nëse ekziston një vendim i tillë, fillimisht duhet të njoftohen të gjitha kategoritë që kanë qenë të liruara dhe më pas të ketë edhe afat të ankesave rreth këtij vendimi.

Ahmeti thotë se do të ishte e udhës që edhe kategoritë e liruara të sistemoheshin, pra nëse ndonjë familje ka të ardhura mbi 500 euro të obligohet që të paguajë, por jo edhe familjet e tjera që marrin nga 170 euro asistencë sociale.

“Për besë unë nuk jam në dijeni. Tash varet si ata e kanë perceptuar, por nëse e kanë bërë, ata paraprakisht duhet me i njoftu me shkrim familjet, edhe me pas një afat të ankesave. Do me thënë, nëse vërtet ia vlen apo jo. Por, jo vendimi me u marrë pa njoftim. Unë nuk e di, nuk kam asnjë njohuri nëse ndonjë familje është njoftuar rreth këtij vendimi të Eco-Higjienës. Ndoshta duhet me u shikua, edhe aty është mirë me u bë kategorizimi. Ato familje që kanë të hyra të mjaftueshme në familje, edhe unë jam për me pagua, por jo me i diskriminu familjet që ndoshta nuk kanë kushte as për kafshatë të bukës e me i shti me e pagu edhe këtë shërbim. E kam fjalën edhe për familjet me asistencë sociale, familjet e veteranëve të luftës, një pjesë e tyre i marrin vetëm 170 euro, edhe nuk kanë të ardhura tjera. Do të thotë është një asistencë, kurgjo nuk është më shumë se një asistencë sociale. Bile me asistencë sociale i kanë disa benefite të tjera e këta (familjet e veteranëve), nuk kanë asnjë benefit tjetër, përveç këtyre të ardhurave. Edhe është mirë me e pas një kriter, do me thënë familjet që kanë të hyra deri në 500 euro, do me thënë me e bo që mbi to (500 euro) të paguajnë e nën to të mos paguajnë. Kështu, nuk e di si të them, pa e pa vendimin. Sido që të jetë, në Gjilan është një veprim i mirë që ka qenë prej sa viteve, e të mos ngarkohen për kohën sa ka qenë prej 2012-tës, por vetëm prej 1 korrikut e më pas. Të mos ndodh sikur në tatim në pronë, që kanë pas familje të dëshmorëve që kanë paguar deri në 5 mijë euro tatim në pronë, që vërtet ka qenë një traumë për ta. Nuk duhet me vepru kështu. E nëse ata mendojnë që me ua kthy borxhet prej fillimit, pra gjatë kësaj kohe sa nuk kanë paguar, me të vërtet është ligj diskriminues. Mendoj që duhet me u njoftu familjet edhe me e pas një prag se cilat familje mos me pagu. Ka familje që e kanë të vështirë me e siguru ekzistencën, edhe pse pastërtia është mbi të gjitha, edhe nuk është kosto shumë e madhe, 5 euro për familje, por megjithatë kjo ndikon, 5 aty, 5 këtu, fëmija në shkollë po ndikon”, u shpreh Ahmeti për Demokracia.com.

Kundër këtij vendimi dhe çdo vendimi tjetër që merret, në çdo moment që ndryshohen qeveritë, po shprehet edhe Nazim Gagica, asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan.

As Gagica nuk është i informuar rreth këtij vendimi, por thotë se do ta ngreh si çështje në Kuvendin Komunal.

“Të mos ndryshojmë qëndrime të përditshme. Nëse u kriju një standard 10-vjeçar për t’i liruar këto familje meritore prej obligimeve, prej tatimeve shtesë, atëherë duhet të vazhdohet kështu, jo të ndryshohet sa herë që ndërrohen pushtetet. Nëse 10 vjet është krijuar një standard, mendoj se duhet të vazhdohet standardi i tillë. Sepse, është kategori e ndjeshme dhe këto shërbime natyrisht që iu takojnë me të drejtë që të lirohen prej obligimeve tatimore, taksa komunale. Do të thotë jam kundër ndryshimit të standardit në komuna, atëherë kur ndryshohet pushteti. Atëherë kur është interes shtetëror, e sidomos në kategoritë shumë të ndjeshme, siç janë familjet e dëshmorëve, rastet sociale etj., etj. Qëndrimi im është ky, që me vazhdu standardi i njëjtë. Nuk jam në dijeni, edhe besoj që ky vendim është marrë së fundmi, por unë do ta ngris edhe në Kuvend këtë çështje, natyrisht”, theksoi Gagica për Demokracia.com.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Mentor Mihovci, ka thënë për Demokracia.com se në lidhje me këtë vendim të Eco-Higjienës, nesër së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin, do ta mbajnë një takim me drejtorin e kompanisë.

Mihovci ka thënë se sipas rregullores, Eco-Higjiena nuk ka të drejtë të marrë vendim të njëanshëm.

“Për këtë arsye kam kërkuar një takim nesër me kryetarin, edhe me drejtorin e Eco-Higjienës, me e shqyrtu këtë njoftim që m’ka ardh. Se kjo formë e njoftimit nuk besoj që ka me qenë e dakordume, sepse është partner publiko-privat dhe nesër do ta shqyrtojmë dhe diskutojmë. Edhe nuk besoj që duhet me qenë e aprovuar kjo pjesë. Fillimisht, nesër do ta kem takimin, edhe me prezencë të kryetarit, edhe me drejtorin përgjegjës të kësaj ndërmarrje, do të sqarojmë gjithçka që është në lidhje me këtë njoftim. Besoj që nuk ka me kalu ky vendim i Eco-Higjienës”, theksoi Mihovci për Demokracia.com.

Jo vetëm në Gjilan, por me vendim të kompanisë Eko-Higjiena, edhe në Kamenicë e Viti këto kategori që kanë qenë të liruara nga pagesa tash e 10 vite do të obligohen të paguajnë.

As në Komunën e Kamenicës nuk kanë njohuri për këtë vendim.

Labinot Haxhiu, asamblist i PSD-së në Komunën e Kamenicës, duke e cilësuar si vendim të padrejtë e të palogjikshëm, ka thënë se kur shteti hesht, atëherë Eco-Higjiena merr vendime.

“Komuna e Kamenicës ka ofruar diçka për këta të higjienës. Një kamion me sa e di unë, shpërndarjen e kontejnerëve nëpër familjet me rastet sociale ose rastet e familjeve të dëshmorëve e veteranëve. Mua po më duket logjikisht dhe ligjërisht e padrejtë me e marrë tash një vendim higjiena, për me ia bë me pagesë këtyre rasteve. Vetë shërbimin, mundësinë e shërbimit ia ka ofruar shteti, do me thënë komuna, atëherë i ka konvenu Eco-Higjienës kurse tash shteti rrinë, hesht edhe higjiena vazhdon me politikat e veta si çdo privat, që është e kuptueshme”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Kompania e Pastrimit “Eco-Higjiena” është kompani në partneritet publiko-privat me tri komunat kryesore të anamoravës, Gjilan, Viti dhe Kamenicë dhe prej 10 vitesh veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe familjet me asistencë sociale kanë qenë të liruar nga pagesa për shërbimet që ofron kjo kompani. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

DOKUMENT| Eco-Higjiena i detyron veteranët dhe familjet e dëshmorëve të paguajnë në Gjilan, Kamenicë e Viti

Të ngjashme