Lajme
DOKUMENT| Eco-Higjiena i detyron veteranët dhe familjet e dëshmorëve të paguajnë në Gjilan, Kamenicë e Viti
Demokracia
13:51 | 16 Maj 2022

Share:

Kompania Rajonale e Pastrimit “Eco-Higjiena” në Gjilan, Kamenicë dhe Viti, po i detyron veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe rastet sociale, që të paguajnë për shërbimet publike.

Për 10 vite me radhë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe rastet sociale, nuk kanë paguar për shërbimet e kompanisë rajonale të pastrimit “Eco-Higjiena” në Gjilan, Kamenicë e Viti. Kështu kishin vendosur qeverisjet e kaluara komunale dhe bordi i vjetër i kësaj kompanie, raporton Demokracia.com.

Mirëpo, bordi i ri kompanisë “Eco-Higjiena”, kompani kjo në partneritet publiko-privat me tri komunat kryesore të anamoravës, tashmë ka marrë vendim që këto familje nga 1 korriku i këtij viti të detyrohen të paguajnë për shërbimet e “Eco-Higjienës”.

Sipas vendimit që e ka siguruar Demokracia.com, në mbledhjen e mbajtur më 3 mars, Bordi i Drejtorëve e ka marrë këtë vendim dhe të gjitha këto kategori që ishin të liruara në të kaluarën, tashmë do të kthehen në klientë të rregullt.

Në këtë dokument thuhet se ky vendim është marrë për shkak të situatës ekonomike, e cila ka ardhur si pasojë e pandemisë, por edhe e luftës në Ukrainë.

“Përkundër faktit që statusi i juaj tani më është rregulluar me ligj dhe përkundër faktit që ne operojmë si ndërmarrje private, ne përtej kësaj kemi respektuar vendimin e Bordit të mëhershëm, duke mos ju ngarkuar me tarifat e shërbimit. Në këto 10 vitet e shkruara kemi dhënë kontributin tanë ndaj jush, respektivisht duke marr përsipër vet kompania Eco-Higjiena atë barrë financiare për 953 raste të veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve si dhe 890 raste sociale – në vlerë mbi 1 milion euro, (1.105.800.00 Euro). Për shkak të situatës së përgjithshme vendore dhe ndërkombëtare në shumë sektor ekonomik dhe financiar, nga ndikimi i pandemisë, e tash së fundmi edhe lufta në Evropën Lindore, as ne nuk jemi të përjashtuar nga ndikimet e energjetikëve, pa të cilën ndërmarrja e jonë nuk mund të kryen shërbimet mirëfilli. Si rrjedhojë e kësaj situate, kompania është e detyruar të ndërmarr masa për të siguruar shërbimin dhe funksionalitetin e vet duke i aktivizuar në klient aktiv të gjitha kategoritë e shoqërisë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com.

Kompania “Eko-Higjiena”, aktivitetin e saj e shtrinë në Gjilan, Viti dhe Kamenicë, ndërsa marrëveshje bashkëpunimi ka edhe me Komunën e Artanës, Parteshit, Ranillukut dhe Kllokotit. /Demokracia.com/

Të ngjashme