Lajme
Vetëm 35% e grave deri në 29 vjeç janë aktive në tregun e punës, 26% deri në 50 vjeç
Demokracia
16:34 | 13 Mars 2023

Share:

Rreth 35 për qind e grave nga 25 deri 29 vjeç janë aktive në tregun e punës, ndërsa 26 për qind janë të moshës 30 deri në 50 vjeç. Kështu u tha në tryezën e diskutimit të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) me Gratë Deputete.

Përqindja e ulët e grave në tregun e punës, sipas folësve është në kundërshtim me direktivat e legjislacionit kosovar, ndërsa u kërkua që kjo përqindje të rritet, pasi sipas tyre, ndërlidhet edhe me direktivën e Bashkimit Evropian për Balancimin e Punës dhe Jetës.

Gjithashtu sfidë u konsiderua mundësia për të identifikuar zgjidhjet e mundshme për të përmirësuar zbatimin e politikave të pushimit të lehonisë në Kosovë.

Dita Dobranja, eksperte e ekonomisë prezantoi disa shifra se si qëndron punësimi i grave në Kosovë. Ajo tha se krahas pushimit të lehonisë që i takon nënës, të njëjtën duhet ta ketë edhe babai.

“35% e grave në grupmoshën 25-29 vjeç janë aktive në tregun e punës, ndërkaq 60 për qind janë burra. 26% e grave të grupmoshës 30-50 vjeç janë aktive në tregun e punës në krahasim me 70 për qind burra. Vetëm gjatë 16% e grave krahasuar me 40% të burrave në Kosovë janë të punësuar. Gratë që janë aktive në punë përballen me disa pengesa në gjetjen e punësimit, siç është punësimi më i madh i burrave. Propozimi për ndryshimin e dispozitave të pushimit të lehonisë, atësisë dhe prindëror. Gjashtë muaj i takojnë nënës, sipas pushimit të lehonisë siç është aktualisht, por duhet t’i takojë një muaj babait të fëmijës si pushim i atësisë”, tha Dobranja, raporton Ekonomia Online.

Visare Mujko-Nimani nga UNFPA-ja ka thënë se është e rëndësishme që kur të flitet për barazinë gjinore të flitet nga të dy gjinitë.

“Në këtë tryezë shumë të rëndësishme, për barazinë gjinore por ne në të shumtën e rasteve kur flasim për barazinë gjinore, ne flasim në aspektin e gruas, por në projektin e fundit shikohet edhe nga aspekti i burrit. Unë do të doja që prezantueset që do t’i prezantojnë të dhënat të kenë më kujdes shpjegimin e termave pushimi i lehonisë, prindërimit dhe atësisë. Edhe në Kosovë edhe në botë duhet të bëhen disa ndryshime për avancimin e gruas. Mendoj që përmirësimi i Ligjit të Punës do ta zbusë lënien e karrierës nga nënat për fëmijë”, tha Mujko-Nimani.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se sa i përket fuqizimit të gruas, ndajnë mendim të njëjtë pozitë e opozitë.

“Ligji i Punës duhet të gjejë implementim, sepse është një ligj i mirë. Kemi shumë diskriminim të grave dhe pabarazi në paga në krahasim me meshkujt. Sa i përket punësimit të grave në përgjithësi është shumë e madhe. Kohë më e vështirë për gratë e papunësuara është nga mosha 35-45 vjeç, siç konsiderohet mosha e mesme nëse deri në atë kohë nuk kanë gjetur një vend të punës, atëherë do ta kenë edhe më të vështirë, sepse do të diskriminohen edhe në konkurse”, është shprehur Bunjaku.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka deklaruar se vëmendja duhet të kthehet nga gratë që t’u krijohen mundësi të mira edhe në Ligjin e Punës.

“Ne si gra e dimë se sa shumë diskriminohemi si në shtëpi ashtu edhe jashtë. Ne do t’i marrim komentet e juaja që ta bëjmë këtë ligj sa më të mirë që të mos jemi të diskriminuara”, tha Bytyqi.

 

Të ngjashme