Lajme
“Vepruam në interes të Kosovës, e vërtetoi Aktgjykimi…” | Për t’i shpëtuar burgut, opozitari Albin Kurti citonte Gjykatën Kushtetuese, tani e sulmon brutalisht nga ndërtesa e Qeverisë
Demokracia
11:50 | 11 Janar 2024

Share:

“Se veprimi ynë ishte në pajtim me Kushtetutën e vërtetoi Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2015 që tregoi se ‘Zajednica’ e Serbisë me secilin nga 7 kapitujt e saj nuk është në përputhje me Kushtetutën në plot 23 nene të saj”.

Kështu deklaronte në Gjykatë, më 29 dhjetor 2017, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë shqyrtimit gjyqësor ku ai dhe tre deputetët tjerë të kësaj partie, akuzoheshin për hedhje të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës, me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Pikërisht për ta shpëtuar vetën para Gjykatës, Kurti citonte dhe e përdorte si mburojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili kishte shpallur se disa pika të Marrëveshjes së Parimeve, si dokument i ndërmjetëm pa efekt juridik, nuk ishin në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Para gjyqtarit të shkallës së parë, Kurti po mundohej të arsyetonte veprimet e tij si deputet për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar mbajtjen e seancave.

“Ne kemi vepruar në interesin më të mirë të Republikës kur kemi kundërshtuar me vendosmëri ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Se veprimi ynë ishte në pajtim me Kushtetutën e vërtetoi Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2015 që tregoi se ‘Zajednica’ e Serbisë me secilin nga 7 kapitujt e saj nuk është në përputhje me Kushtetutën në plot 23 nene të saj. Po ashtu, Komisioni Shtetëror aktual për kufijtë me në krye prof. Shpejtim Bulliqin vërtetoi se ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi ishte i gabueshëm e i dëmshëm për Kosovën dhe me elemente të veprave penale prej tejkalimit të kompetencave e deri te falsifikimi i hartave. Ne kishim të drejtë në veprimet tona që mbronim Republikën dhe Kushtetutën dhe kjo e drejtë e jona ishte edhe liri edhe detyrë njëkohësisht”, deklaronte Kurti në gjykatore.

Jo vetëm në këtë rast, por opozitari Kurti e citonte me shumë dëshirë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese edhe nëpër studio televizive. Shpeshherë, Kurti pëlqente edhe gjuhën me të cilën Gjykata Kushtetuese shkruante vendimet e saj, siç ishte rasti me Aktgjykimn për “Zajednicën”.

“Ka njëfare ironie të hollë në Akgjykimin e Gjykatës Kushtetuese: “formone ju Asociacionin, po 23 nene të Kushtetutës janë shkelë, edhe asnjë prej kapitujve nuk është në rregull”, thoshte Kurti në RTV 21, pak ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Por, që nga koha kur Kurti është bërë Kryeministër, në jo pak raste, ka sulmuar institucionin e Gjykatës Kushtetuese, atje ku opozita ka gjetur adresën për të mbrojtur institucionet nga ndërhyrjet e Qeverisë përmes ligjeve antikushtetuese.

Në një publikim në faqen e Lëvizjes Vetëendosje, më 19 dhjetor 2023, partia e Kurtit është treguar e ashpër jo vetëm me opozitën, por edhe Gjykatën Kushtetuese.

Në reagimin e Vetëvendosjes ndaj partive opozitare, Gjykata Kushtetuese bëhet pjesë e skemës që mbron shtetin e kapur, të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.

“Opozita e pa alternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”, thuhet në reagimin e VV-së, ku listohen edhe disa nga ligjet për të cilët opozita është ankuar në Kushtetuese.

Jo vetëm nga adresa e partisë, por kritika ndaj opozitës që shfrytëzon rrugën ligjore për të kontestuar ligjet ka bërë edhe vetë kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, duke e akuzuar atë si përpjepjkje për të “paralizuar reformat”.

“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet në mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, deklaronte Kurti.

Së fundmi, edhe Ministrja e Drejtësisë, Abulena Haxhiu, nga ndërtesa e Kryeministrisë dhe menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën më 10 janar 2024, Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese po bëhet pengesë e reformave.

“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë? Sepse, opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike”.

Nga Qeveria e sulmojnë përsëri sistemin e drejtësisë: Gjykata Kushtetuese po i pengon reformat

Më 3 janar 2024, është regjistruar edhe një deklaratë publike sulmuese mbi Gjykatën Kushtetuese nga Zëvendësi i Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi, i cili në një medium serb ka kritikuar punën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet ta dërgojnë edhe draft-statutin e Zajednicës, duke potencuar se organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë “është e njohur për marrjen e vendimeve të diskutueshme”.

“Këtë e shohim çdo ditë, sepse mendojmë se u mungon kompetenca dhe besueshmëria”, ka thënë Bislimi. / Demokracia.com /

Bislimi në mediumin serb sulmon Gjykatën Kushtetuese: Është produkt i një mjedisi korruptiv

Të ngjashme