Lajme
Bislimi në mediumin serb sulmon Gjykatën Kushtetuese: Është produkt i një mjedisi korruptiv
Demokracia
16:47 | 03 Janar 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka kritikuar punën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet ta dërgojnë edhe draft-statutin e Zajednicës, duke potencuar se organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë “është e njohur për marrjen e vendimeve të diskutueshme”.

“Këtë e shohim çdo ditë, sepse mendojmë se u mungon kompetenca dhe besueshmëria”.

Në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Radio Gorazhdevac, zëvendësi i Kurtit i pyetur për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Manastirit të Deçanit, ka potencuar se është vështirë të zbatohen vendimet e këtij institucioni.

“Vështirë të respektosh vendime të tilla, është e vështirë të biesh dakord, nuk është se i mohojmë. Gjykata është produkt i një mjedisi korruptiv, ky vendim nuk është produkt i një institucioni arbitrar”, ka potencuar ai.

Marrëveshja e Brukselit/Ohrit derivat i propozimit franko-gjerman të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan fillimisht më 27 shkurt dhe më pastaj me 18 mars 2023, sipas kryenegociatorit Bislimi, ka pasur potencialin e afrimit të dy vendeve.

Por, refuzimi i nënshkrimit të akordit nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, sipas kryenegociatorit kosovar, përkeqësoi situatën që kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Mungesa e nënshkrimeve na dërgoi në komplikime shtesë. Me ngjarjen në Banjskë u kthyem rrugës së konfliktit, sepse vetë marrëveshja kishte potencialin të na afronte”, ka thënë Bislimi në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Radio Gorazhdevac.

Sipas Bislimit, viti 2023 ka qenë shumë i favorshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, meqë nuk ishte vit kalendarik i zgjedhjeve.

“Viti 2024 është më pak i përshtatshëm në këtë kuptim, për shkak se zgjedhje do të ketë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e në Kosovë. Por, ne ende besojmë se, nëse ka energji dhe vullnet nga të dyja palët, mund të vazhdojmë përpara, pavarësisht këtyre efekteve të jashtme”, ka shtuar Bislimi.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Bislimi ka potencuar se besimi i serbëve ndaj Policisë së Kosovës po shtohet dita ditës.

“Këtë e vërtetojnë fotot dhe videot ku shihen zyrtarët policorë duke shpërndarë ushqime për qytetarët dhe gjëra të tjera të nevojshme. Gjithashtu shumë qytetarë po raportojnë problemet e tyre në polici, që do të thotë se po ndërtohet besimi”.

Të ngjashme