Lajme
“Vendimet e Millosheviqit nuk jetojnë në shekullin tonë”, si e kundërshtonte Kurti zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit
Demokracia
18:40 | 06 Mars 2024

Share:

Ndonëse e ka kundërshtuar fuqishëm, Qeveria e Albin Kurtit duket se është zbythur edhe për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit dhe tani po e hedhë ‘topin’ te Komuna e Deçanit, me kushtin që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës.

Siç ka raportuar sot Radio Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës pret që vetëqeverisja lokale në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë së Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni që do të mbahet në prill.

Zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përsëritën në disa raste se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016 legalizoi një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit “toka iu dhurua Manastirit”, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë kadastrën, pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.

Edhe pse Qeveria e Albin Kurtit vazhdon ta konsiderojë të padrejtë atë vendim, Radio Evropa e Lirë merr vesh se ajo është duke zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës, me qëllim zbatimin e tij, përpara sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Kjo justifikohet edhe me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.

Siç merret vesh, Qeveria Kurti është e gatshme që ta ftojë publikisht komunën për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm”, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”.

Ndonëse “nuk do që ta obligojë komunën” për ta zbatuar vendimin, me shpresën se kjo do të arrihet “në mënyrë të pavarur dhe pa presion”, Qeveria beson se po shkon “në drejtimin e duhur”.

Kryetari i Komunës së Deçanit tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e vendimit, ai tha se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.

Albin Kurti vazhdimisht e kishte kundërshtuar zbatimin e këtij vendimi, shkruan Demokracia.com.

“Unë mendoj se për Manastirin e Deçanit kemi nevojë për dialog në mënyrë që ta trajtojmë këtë breng të tyre, nuk duam t’i dominojmë, nuk dëshirojmë t’i cenojmë, por në të njëjtën kohë besoj që duhet të hasim më në fund në mirëkuptimin e tyre që vendimet e Millosheviqit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”, theksoi Kurti.

Qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë kishte deklaruar se “duhet pasur shumë kujdes me precedentin që krijohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e Manastirit të Deçanit”.

“Mos harroni se Millosheviqi ka dhënë dhe ka marrë tokë në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, kjo është krejtësisht mbi baza diskriminuese. Madje, këtë e ka bërë gjatë viteve 1998-‘99, kur ishim në luftë, kur bëri gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, ky është problemi themelor i këtij vendimi”, kishte thënë Osmani.

Presidentja ka rezerva për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar. Më pas nga prokurori i shtetit është kërkuar të veprojë në përputhje me Ligjin penal dhe Ligjin për procedurën penale të Kosovës.

Prokuroria Themelore e Pejës, në qershor të këtij viti ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk janë specifikuar detajet.

Më 11 tetor, REL-i ka kontaktuar sërish të njëjtën prokurori për të pyetur se deri ku ka arritur hetimi dhe nëse është ndërmarrë ndonjë hap specifik, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Cili është kontesti?

Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Thënë shkurt, për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90./ Demokracia.com/

Të ngjashme