Lajme
Vazhdon presioni ndaj grevistëve, komuna e udhëhequr nga LVV-ja i thërret në takim mësimdhënësit
Demokracia
14:39 | 04 Shtator 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti që dikur i mbështeste grevistët e madje edhe ata në Shqipëri, tash po i kritikon dhe kërcënon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e përdor pushtetin e tij në disa komuna që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje për t’i ndalur grevat, shkruan Demokracia.com.

Në komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, presioni ndaj mësimdhënësve ka filluar qysh mbrëmë në orët e vona.

Demokracia.com ka siguruar një mesazh të cilin Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu, ua ka dërguar mësimdhënësve, duke i thirrur në një takim për sot në ora 15:00.

“Mirëmbrëma, ju ftojmë në takim së bashku me kryetarin e Komunës. Nesër: 04.09.2022, ora 15:00 në Sallën e Kuvendit Komunal”, është mesazhi që Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës i ka dërguar mësimdhënësve.

Demokracia.com ka kontaktuar Avni Fetahun, Drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës, si dhe e ka pyetur se cila është arsyeja e këtij takimi që është thirrur për sot.

Ai e ka pranuar që në këtë takim do të flitet edhe për grevën e mësimdhënësve.

“Përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor për shkak të do specifikave që i kemi pas dhe diskutimi për çështjen e grevës se çfarë epilogu mund të marrë, pas asaj çka u propozu prej nivelit qeveritar”, ka thënë Fetahu për Demokracia.com.

I pyetur se përse është thirrur pikërisht për sot ky takim dhe a është ky një presion ndaj mësimdhënësve për ndërprerjen e grevës, Fetahu ka thënë se nuk është e vërtetë kjo.

“Nuk është presion për arsye se këtu prezent është edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në nivel dege në  komunë, gjithashtu edhe kryetari i Këshillit të Prindërve, pra të dy janë prezentë. Diskutimi është shumë i hapur edhe nuk ka kurrfarë ndikimi çfarë mund të presupozoni”, u shpreh Fetahu.

Kryeministri Albin Kurti akoma nuk i ka takuar përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe as përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), kërkesa e të cilave është që të paguhen me nga 100 euro shtesë mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Përfaqësuesit e BSPK-së dhe SBASHK-ut janë takuar të shtunën me presidenten Vjosa Osmani.

Në Komunën e Gjilanit sot është paralajmëruar të mbahet takimi i kryetarëve të komunave të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Përveç Alban Hysenit, në këtë takim është Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës, Qemajl Aliu, kryetar i Shtimes dhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme