Lajme
Vazhdon përçarja kombëtare | Njeriu i Kurtit fillon betejë të re kundër BDI-së që doli nga UÇK-ja
Demokracia
19:08 | 22 Nëntor 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti po vazhdon përçarjen e shqiptarëve. Pas përçarjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, tash i ka hyrë edhe asaj të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Tashmë nuk është fshehtësi që kjo parti po synon të themelojë një degë të saj në Maqedoninë e Veriut, ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë.

Për këtë temë ka folur edhe këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Bekim Qoku. Por, jo vetëm Qoku i Kurtit komentoi këtë temë. Së fundmi, Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së LVV-së, ka folur për këtë çështje në televizionin Alsat.

Çka tha Hoxha?

Që në hyrje të intervistës, Hoxha nuk e mohoi që LVV-ja ka synim të themelojë një degë të saj në Maqedoni të Veriut. “Nuk mund të jap përgjigje të saktë”, ishte arsyetimi i Hoxhës kur u pyet për këtë temë.

“Tani nuk mund të jap përgjigje të saktë, sepse duke qenë që ne jemi Vetëvendosje dhe siç e thotë vetë fjala duhet të jetë një akt vetëvendosjeje lokale, vendore. Kështu që ka aktivistë të Vetëvendosjes që qarkullojnë këtu, nëse ata vendosin, e kanë lirinë e plotë të krijojnë Lëvizjen Vetëvendosje, madje edhe lirinë e plotë të mbajnë qëndrim përkundër zgjedhjeve që po vinë”, deklaroi ai.

Megjithatë, një gjë është e sigurt, LVV-ja është kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe shqiptare, që udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Hoxha kishte fjalë absolutisht të ashpra për këtë parti, duke e quajtur “parti të regjimit”, të një Maqedonie “ku shqiptarët nuk ekzistojnë”. Përveç BDI-së, Hoxha e kritikoi edhe Aleancën për Shqiptarët, që udhëhiqet nga Arben Taravari.

“Blloqet këtu (v.j. Maqedoninë e Veriut), për më të mirën e shqiptarëve, janë të ndara, janë haptas të ndara, të qarta. Do të thotë dihet që BDI-ja është parti e regjimit dhe ky regjim është i një Maqedonie ku shqiptarët nuk ekzistojnë, që Aleanca për Shqiptarët është ende e pavendosur. Nuk e di se sat ë çara janë marrëdhëniet aty brenda, por është e pavendosur. Duket deri tani, se më tepër po tenton të rrijë me BDI-në. Pra të kalojë në aksin e qeverisë maqedonase, në çdo rast”, konkludoi arbitrarisht Hoxha.

E pasi kreu sulmin ndaj BDI-së, Hoxha nisi lëvdatat për opozitën e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

“Nga ana tjetër, kemi një bllok opozitar. Kjo është për t’u lavdëruar. Ne si Vetëvendosje kemi mbështetur gjithmonë opozitën ndaj çdo iniciative që merr pjesë në qeveritë maqedonce, për ta fshehur, për ta heshtur elementin shqiptar. Prandaj, gjithmonë kemi mbështetur opozitën, cilado që ka qenë. Madje ka qenë Aleanca e Shqiptarëve në vitin 2020”, vazhdoi Hoxha.

Moderatorja e Alsatit ia bëri një pyetje shumë të drejtpërdrejtë Hoxhës.

“Në këto zgjedhje, kë do ta mbështesni?”, ishte pyetja e moderatorës, për të cilën Hoxha kishte një përgjigje të rrufeshme.

“Në këto zgjedhje jemi të qartë, koalicionin opozitar”, theksoi Hoxha.

Ndryshe, tre muaj më parë, Kurti kishte bërë një vizitë në Maqedoninë e Veriut, e cila ishte kritikuar shumë në Kosovë e në shtetin fqinj.

 

Pikë e pesë | Albin Kurti erdhi në pushtet me retorikën e bashkimit kombëtar, por thelloi përçarjet me Shqipërinë, Luginën e Maqedoninë

Të ngjashme