Lajme
Pikë e pesë | Albin Kurti erdhi në pushtet me retorikën e bashkimit kombëtar, por thelloi përçarjet me Shqipërinë, Luginën e Maqedoninë
Demokracia
19:14 | 24 Korrik 2023

Share:

“Bashkimi kombëtar” ka qenë prioriteti kryesor ndër vite i Albin Kurtit. Por, tashmë ai duket se ka hequr dorë nga ky premtim, që ua jepte kosovarëve kur bënte opozitë. Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Kembrixhit në Londër, Kurti ka thënë se Kushtetuta aktuale nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke ua shuar kështu shpresat qytetarëve që e votuan.

“Kemi gjuhën e traditat e njëjta, kemi vetëdijen e përbashkët kulturore e historike. Nuk shoh që forcimi i Kosovës bie ndesh me aspiratat e Shqipërisë, po aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt, sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë të pamundur këtë. Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet t’i japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia. E kam fituar këtë mandat qeverisës me punë e drejtësi dhe dua ta bëj shtetin e Kosovës të fuqishëm, edhe ekonomikisht, edhe administrativisht”, kishte thënë ai.

Kosova, sipas Kurtit, fillimisht do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s e pastaj do të hyjë në Bashkimin Evropian.

Por, përveç që ua shuajti këtë ëndërr, Albin Kurti tashmë është shndërruar në përçarësin më të madh të shqiptarëve.

Albin Kurti i ka përkeqësuar e ftohur raportet me Shqipërinë. Ai, madje as nuk ka pranuar që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizitë të tij në fillim të këtij muaji në Prishtinë.

Kurti as nuk e mori në konsideratë ndihmën e Ramës dhe idenë e tij për krijimin e Asociacionit. Ai nuk shkoi as në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që e thirri Rama në Tiranë.

Rama për mungesën e Kurtit në takimin në Tiranë: Nuk shoh asnjë interes, kush deshi erdhi

Lexo edhe: 

Rama: As një Xhuliete indiferente në rininë time s’i kam shkuar mbrapa me kërkesa sa Kurtit

 

Për më tepër, Kurti i ka ndarë dhe i ka bërë “pikë e pesë” edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Është kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili kohëve të fundit e ka rritur në masë të madhe dozën e kritikës ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të dialogut me Serbinë dhe përkeqësimit të raporteve me aleatët dhe ndarjen e një donacioni për Luginën.

Në këmbim të kësaj, Arifi ka marrë edhe kritika e sulme. Ka qenë këshilltarja e Kurtit dhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka thënë se Arifit më shumë po i pengon Qeveria e Kosovës sesa veprimet e shtetit serb kundër shqiptarëve të Luginës.

Arifin për kritikat që ia ka bërë Kurtit, e ka kritikuar edhe Ragmi Mustafi.

Mustafi e quan Arifin patericë të Vuçiqit e Daçiqit

Ai ka qenë cak i sulmeve edhe nëpër rrjete sociale, ku është shpërndarë një fotografi e tij me Aleksander Vulinin, fotografi që Arifi e kishte sqaruar në të kaluarën.

Bazuar në gjithë këto përplasje, Arifi ka publikuar sot një fotografi në të cilën ka shkruar se nuk shantazhohet.

“Nuk shantazhohem sot e as kurrë!”, ka shkruar ai.

I kontaktuar për kontekstin e reagimit të tij, në përgjigjen e tij, Arifi ka thënë se bëhet fjalë për disa zhvillime të fundit lokale në Komunën e Preshevës.

“Ka pasur tentime për të bllokuar funksionimin e Kuvendit Komunal në Preshevë, me ç’rast ka pasur konspiracione për të më larguar nga pushteti lokal, gjegjësisht nga posti i kryetarit, të organizuar nga Kurti me një kompani lokale të errët”, ka thënë Arifi.

Ai tutje ka thënë se këto tentativa për shkarkimin e tij vijnë nga mafia lokale në bashkëpunim me këshilltaren e Kurtit, Ardita Sinanin.

Kurti kinse për t’i përfshirë në qeverisjen e tij të gjithë shqiptarët, ka emëruar edhe një këshilltar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për të cilin thuhet se nuk përfaqëson shqiptarët atje, por është një zyrtar i lartë i partisë së Ziadin Selës. /Demokracia.com/

24 veta i japin mend kryeministrit | Kurti ia bashkëngjit karvanit të gjatë të këshilltarëve edhe një për Maqedoninë e Veriut

Të ngjashme