Lajme
Vazhdojnë shkeljet gjatë fushatës, këto parti u ndëshkuan në javën e parë nga PZAP-i
Demokracia
19:12 | 10 Shkurt 2021

Share:

Partitë politike në fushatën zgjedhore kanë bërë shkelje të ndryshme dhe për këtë janë gjobitur nga PZAP-ja.

Që nga 3 shkurti kur edhe zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar tetë ankesa dhe gjashtë prej tyre i ka pranuar si të bazuara ndërkaq dy ankesa i ka refuzuar si të pabazuara.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it, ka treguar për Demokracia.com, se është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) partia që më së shumti është gjobitur, ndërkaq asnjë gjobë deri më tani nuk e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.

“Prej fillimit të fushatës zgjedhore të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të datës 14 shkurt 2021, nga subjektet politike, OJQ dhe persona tjerë që kanë interes juridik, në PZAP, janë paraqitur 26 anesa. Prej tyre tetë ankesa janë shqyrtuar dhe vendosur nga PZAP-i. PZAP- i ka pranuar të bazuara gjashtë ankesa ndërsa dy ankesa i ka refuzuar të pabazuara. Ndaj subjekteve politike janë shqiptuar gjoba si në vijim: AAK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 10 mijë e 700 eurove, LDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 4 mijë eurove, PDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 2 mijë eurove. Pra gjithsej janë shqiptuar gjoba në shumë prej 16 mijë e 700 eurove”, ka treguar Desku për Demokracia.com.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se janë në procedurë të shqyrtimit dhe vendosjes dhe 16 ankesa.

Desku po ashtu ka treguar për Demorkacia.com edhe shkeljet që kanë bërë partitë politike ku edhe PZAP-i ka pranuar ankesa.

“Në procedure te shqyrtimit dhe vendosjes janë edhe 16 ankesa. Natyra e ankesave kryesisht është për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike. Përdorimi i aseteve dhe objekteve publike gjatë fushatës zgjedhore. Vendosja e billbordeve ne hapësirat e subjekteve tjera politike, Përdorimi i personave të mitur gjatë fushatës, Vendosja e posterave në rrugë publike, Përdorimi i gjuhës së urrejtjes, Mbajtja e tubimit publik pa paralajmërim, Heqja e Posterit të subjektit tjetër dhe vendosja posterit të subjektit të vetë politik, Mbajtja e tubimit elektoral pa paralajmërim dhe Vendosja e posterëve në objekte publike”, ka treguar Desku.

Theksojmë se edhe Demokracia në Veprim (DnV), organizatë kjo e cila merret me monitorimin e zgjedhjeve, ka vënë në pah se partitë politike më së shumti janë duke shkelur Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Për shkak se partitë politike janë duke mbajtur tubime elektorale edhe në hapësira të mbyllura por edhe të hapura dhe duke mos respektuar masat anti-COVID, ka reaguar edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Theksojmë se fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfundon më 12 shkurt. /Demokraci.com/

Të ngjashme