Lajme
Vapa e të nxehtit ekstrem vë Ballkanin në alarm
Demokracia
14:53 | 17 Korrik 2023

Share:

Vala e të nxehtit evropian ka mbërritur në Ballkan me temperatura 40 gradë e të cilat pritet të shkojnë edhe më lart. Me këtë rritet rreziku si për zjarret ashtu edhe për shëndetin e qytetarëve Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, raporton agjencia e lajmeve EFE.

Në Kosovë temperaturat aktualisht janë 37 gradë Celsius dhe Instituti Hidrometeorologjik parashikon që në disa qytete të arrijnë deri në 40 gradë, transmeton Klankosova.tv.

“Fundjava parashihet tejet e nxehtë. Kjo klimë me temperatura shumë të larta është rezultat i ardhjes së masave të ngrohta ajrore nga Afrika Veriore”, paralajmëron Instituti Kosovar.

Ndërkaq, në Mal të ZI, MPB-ja atje thotë se temperaturat i kalojnë mesataret për sezonin dhe në disa zona priten rekorde të reja, me 40 e më shumë gradë. Ajo po ashtu tha se “vala tropikale” do të vazhdojë deri ditën e nesërme.

Ekziston “rrezik ekstrem zjarri” për shkak të thatësisë në bimët e ulëta.

Institucionet mjekësore paralajmërojnë rritje të numrit të pacientëve që kanë pësuar goditje nga nxehtësia.

Më në jug, në Shqipërinë fqinje, ku temperaturat janë rreth 40 gradë këto ditë, me kulmin prej 42 të shënuar fundjavën e kaluar në Gjirokastër (në jug), Kuçovë dhe Berat (qendër), më e keqja nuk ka ardhur ende.

Sinoptikanët parashikojnë rritje deri në 43 gradë duke filluar nga e enjtja, nivele që do të mbeten edhe gjatë javës së ardhshme.

Për të ndihmuar qytetarët të përballojnë situatën dhe mbi të gjitha të shmangin dehidratimin, autoritetet e Tiranës kanë vendosur cisterna me ujë në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Për herë të parë që nga fillimi i kësaj vere, shërbimet mjekësore paralajmërojnë për vapë intensive dhe kërkojnë një sjellje të përshtatshme ndaj temperaturave të larta, si dhe kujdes të veçantë në rrugë, pas regjistrimit të rritjes së numrit të pacientëve që po pësojnë goditje nga nxehtësia.

Bosnje-Hercegovina po e kalon momentalisht pikun e valës së të nxehtit, me temperatura nga 34 deri në 40 gradë Celsius, të cilat mediat vendase i cilësojnë si “ekstreme” për vendin. Parashikimet parashikojnë lehtësim të enjten.

Edhe Kroacia është ende e prekur nga vala e të nxehtit, me temperatura maksimale sot ndërmjet 34 dhe 38 gradë Celsius që do të rriten edhe nesër.

Rajoni turistik i Splitit ka lëshuar paralajmërime të kuqe të motit për shkak të të nxehtit.

Në Slloveni temperaturat maksimale sot do të arrijnë deri në 37 gradë, me mundësi për stuhi me erë të fortë dhe breshër në veri dhe verilindje të vendit. Situatë e ngjashme është edhe në Serbi.

Të ngjashme