Lajme
Vaki në Gjilan: Një këngëtar angazhohet si konsulent, pasi tërhoqi padinë ndaj Alban Hysenit
Demokracia
23:00 | 09 Gusht 2023

Share:

Në vitin 2022, Komuna e Gjilanit kishte emëruar një Komision Vlerësues për Thirrje Publike në kuadër të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Mirëpo, një muaj pasi ky komision ishte shkarkuar nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, nën arsyetimin për parregullsi, njëri nga anëtarët e komisionit, Burim Demiri, për këtë gjë e kishte paditur kreun e komunës. Një vit e gjysmë pas, Demiri është angazhuar si konsulent në komunë dhe padia ndaj Hysenit tashmë është tërhequr. Çfarë çoi në tërheqjen e padisë?

Në mars të vitit 2022, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni përmes një postimi në Facebook, kishte njoftuar për shkarkimin e komisioni vlerësues, duke thënë se kanë konstatuar mjaftë parregullsi për të vendosur për anulim.

“Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit.” – kishte njoftuar Hyseni.

Hyseni ndër të tjera kishte deklaruar “për secilin dhe kudo që synon parregullësi se ne nuk do të kemi tolerancë ndaj akujt.”

“Gjithashtu dua të përcjell porosinë për secilin dhe kudo që synon parregullsinë se ne nuk do të kemi tolerancë ndaj askujt sepse kemi marrëveshje me qytetarin për transparencë, llogaridhënie dhe korrektësi. Ne jemi të vendosur dhe këtu nuk ka mes e as kompromis.” – kishte shkruar ndër të tjera zotëri Hyseni.

Nga ana tjetër reagim të ashpër kishte bërë edhe Demiri në profilin e tij në Facebook, duke i thënë Hysenit, se “me pas kanë lehtë mu bo kryetar krejt ishim bo.”

“Kryetar: me daten 29.03.2022 ora 20:28 shkrove një status në faqen tënde dhe ate jo nga zyra por nga një Lokacion tjetër, më të vërtetë atë ditë u bëre “HERO” i ditës duke konstatuar se Komisioni do të shkarkohet sepse ka argumente të mjaftueshme për të nisur gjithëqka nga fillimi …(juve me të vërtetë ju kemi zgjedhur Kryetar por kjo nuk do të thotë që ju të silleni si “Sulltan” karshi nesh “duke na gjykuar pa gjyq”…te pakten kishte me qenë e dinjitetshme që të na bëhet “Gjykim Ligjorë” e jo një “Gjykim Popullorë” ku ne si komision na “DENON POPULLI” dhe ju si prijës i POPULLIT merrni vendim në FACEBOOK …për mua personalisht ky vendim juve ju paraqet të papjekur për pozitën që mbani, dhe krenari të tepruar, fenomene këto që kanë pas edhe Kryetarët në të kaluarën…” – i kishte drejtuar Demiri – Hysenit.

Ani pse Demiri kishte ndjekur rrugët ligjore pas këtij shkarkimi duke e paditur kryetarin, i njëjti tashmë del se e ka tërheq padinë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet Demiri për Gazetën Nacionale.

Duke mos treguar se në cilën kohë e ka tërhequr padinë, Demiri ka thënë se nuk e është e rëndësishme, sipas tij më rëndësi është tërhequr padia.

“Po unë kom ngreh padi në atë kohë, po unë e kom tërheq padinë pak më herët. Para një kohe e kam tërheq, nuk ka rëndësi ajo, me rëndësi është tërheq padia.” – ka deklaruar Demiri.

Ndërsa, disa orë më herët, Hyseni përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Demiri është angazhuar si konsulent vullnetar në Drejtorinë e Kulturës, Rinisi dhe Sportit në Gjilan.

“Burim Demiri është konsulenti i ri i cili do të angazhohet vullnetarisht në komunën e Gjilanit, përkatësisht në Drejtorinë e Kulturës për të dhënë kontributin e tij në sferën e kulturës.” – ka shkruar Hyseni.

Gazeta Nacionale ka tentuar të flas edhe me kryetarin Alban Hyseni rreth padisë ndaj tij nga zotëri Demiri, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Të ngjashme