Lajme
Ursula von der Leyen: Duam hapjen sa më të shpejtë të kapitujve negociues me Shqipërinë
Demokracia
20:56 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë deklaratës për shtyp në samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u shpreh se unioni dëshiron hapjen sa më të shpejtë të kapitujve negociues me Shqipërinë.

Gjithashtu ajo tha se në mbledhje është përmendur dhe plani i rritjes.

Më herët ishte Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi që tha se thënë se BE  është gati të hapë kapitujt e parë negociues me Tiranën.

Kjo, pas një suksesi të plotë të fazës së parë të rishikimeve ligjore, e njohur ndryshe edhe si “screening”.

Megjithatë, ai nuk ka përmendur aty nëse Greqia do ta pranojë apo jo këtë hap.

Situata mes Athinës dhe Tiranës është ende e ndërlikuar në margjinat e Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku pas një vendimi të Gjykatës për të mos lejuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, të betohet, Greqia mund të vendosë veton dhe të mos e lejojë vijimin normal të anëtarësimit.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një deklarate qeveritare në Parlament në lidhje me samitin që mbahet sot në Bruksel, tha se duhet mbështetje dhe vlerësim për Ballkanin Perëndimor.

“Prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnjë dhe Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” ku shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”.

Sipas kancelarit gjerman, kjo panoramë e përgjithshme është “shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Evropën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës”.

Ai bëri thirrje që vendet që bëjnë reforma të vlerësohen, duke u ndalur kryesisht te Shqipëria.

“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha kancelari në mes të duartrokitjeve të shumë deputetëve në sallë.

Thirrjet e kancelarit socialdemokrat shkonin tërthorazi në adresë të Greqisë, e ciila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri, njofton “Deutsche Welle”.

Kjo është java e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Këtë të mërkurë të 13 dhjetorit do të ketë një takim me liderët nga rajoni, ndërsa një ditë më pas do të merren vendime, por pa praninë e vendeve të Ballkanit.

Pavarësisht diskutimeve ajo që mbetet e qartë është fakti që BE nuk ka vendosur një datë për hapjen e kapitujve për vendin tonë.

Në të gjithë raportin e Këshillit të Ministrave të unionit nuk kishte një datë të mundshme për asnjë nga vendet e rajonit.

“Këshilli pret me padurim të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe hapjen e grupit të parë negociues sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruhet në raport, ku mirëpritet qëndrueshmëria dhe rimëkëmbja e fortë të vendit.

Analisti gjerman, Bernd Riegert, shprehet me siguri se vendeve të rajonit nuk do t’u jepen data konkrete për anëtarësimin. Por në këmbim, priten stimuj të mëdhenj ekonomikë.

“Brukseli duket se dëshiron ta përdorë këtë lloj ndihme për ta tërhequr Ballkanin nga vetja, e për ta mbajtur larg ndikimit të Kinës e Rusisë”, thotë ai.

Shqipëria, ndërkaq, në raporte të ndryshme është vlerësuar për punën e realizuar në rrugën e saj drejt unionit.

Por, negociatat aktualisht po pengohen nga Greqia, që debaton lidhur me çështjen e postit të kryebashkiakut në Himarë, Fredi Beleri.

Përparimet në bisedimet e anëtarësimit mund të avancojnë vetëm përmes vendimeve unanime dhe secili vend anëtar i BE-së mund të vendosë veton, gjë që pengon bisedimet.

Teksa, Gjermania dhe Franca, po punojnë të dyja në kanale zyrtare për të bërë të mundur çeljen e tre kapitujve të parë, sipas rekomandimit.

Siç ka mësuar Albanian Post nga burime diplomatike pranë palës greke në BE, gjasat janë shumë të mëdha që Greqia ta bllokojë avancimin e anëtarësimit të Tiranës.

“Greqia ka paraqitur një deklaratë specifike gjatë Coreper të javës së kaluar – ku thotë se pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës nga Beleri si dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë”.

Kjo është premisa e palës greke, ku më tej bëhet me dije, se nëse nuk ndodh kjo, Greqia nuk do të pajtohet me fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të Vlerësimit të Standardeve të Pazgjidhura.

Me vendimin për të mos lejuar betimin e Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë Himarë dhe lënien e tij në qeli më 11 dhjetor, është thuajse e sigurt se Athina nuk do të ndryshojë qëndrim dhe do të vendosë veton për tre kapitujt e parë negociues, si formë presioni.

Ekipet e Bashkimir Evropian ndërkaq, të cilat po punojnë në të gjithë kanalet e komunikimit me delegacionin grek për të mos çuar në këtë vendim ekstrem, ka pak gjasë të kenë sukses, edhe pse një fakt i tillë nuk është i përjashtuar deri në çastin e fundit të vendimit.

Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për tre grup-kapitujt deri në fund të vitit 2023. Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike.

Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Evropian të shteteve anëtare të BE. Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sa i takon kësaj çështje pati thënë se nëse “duan të bllokojnë le të bllokojnë, por ne nuk cenojmë reformën. Skemi fuqi as do përdorim fuqinë e pushtetit ekzekuiv për të ndikuar te drejtësia”.

“Ne s’kemi për çfarë të ndryshojmë mendje. Topi nuk është në fushën tonë që ne të shkojmë ta kapim këtë top duhet të shkojmë te fuisha ne drejtësisë. Çështja është në gjykatë. Nëse gjykata shprehet do të shohim si do vazhdojë”.

Fjala i takon tashmë Evropës, të reflektojë sa serioze dhe e bashkuar është në procesin e anëtarësimit.

Të ngjashme