Lajme
Urdhërarrest i ri për Zvonko Veselinoviqin, flasin nga Gjykata
Demokracia
12:30 | 31 Dhjetor 2021

Share:

Pas raportimeve se Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest për Zvonko Veselinoviqin, nga ky institucion kanë dhënë detaje për këtë rast.

Veselinoviq dyshohet për vepër penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, vepër penale të vrasjes së rëndë, vepër të rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara dhe personelit në marrëdhënieve me to dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, shkruan Demokracia.com.

Administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shaban Gërxhaliu ka thënë për Demokracia.com se kjo gjykatë ka ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje penale.

Gërxhaliu është shprehur se dalja e informacioneve në publik lidhur me këtë çështje mund të dëmtojë procedurën.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se gjykata ka ndërmarrë veprime në këtë çështje penale. Gjykata ju vë në dijeni se nëse këto informacione lansohen në publik, mund të dëmtojnë procedurën në fjalë”, tha Gërxhaliu për Demokracia.com.

Ky urdhërarrest do të ekzekutohet nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Zvonko Veselenoviq, serb nga Kosova, është vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Departamenti e ka cilësuar Veselinoviqin udhëheqës të grupit të krimit të organizuar si dhe një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

Vite më parë, ish- komandanti i KFOR-it Erhard Drews, kishte thënë se Zvonko Veselinoviq kishte qenë organizatori i shumë trazirave në veri.

Veselinoviq, sipas Departamentit të Thesarit të ShBA-së, është e angazhuar edhe në dhënie ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe në mënyrë që të lehtësohej kontrabanda mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2019, Gjykata në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër- arrest ndërkombëtar ndaj Veselinoviq nën dyshimin se pati gisht në ngjarjen e 25 korrikut të vitit 2011, ku mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Veselinoviq është përmendur edhe në rastin e vrasjes së ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Aktakuza fillestare përmendi Zvonko Veselinoviqin si drejtues të grupit kriminal përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 25 Maj 2024