Lajme
Ukraina dhe Ballkani Perëndimor kryesojnë agjendën e Blinkenit në Bruksel
Demokracia
18:56 | 27 Nëntor 2023

Share:

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po e kthen vëmendjen te Ukraina, NATO dhe Ballkani Perëndimor pas javësh fokusi intensiv në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

Blinken ka kaluar pjesën më të madhe të muajit e gjysmë të fundit i angazhuar thellësisht në krizën e Gazës, duke bërë dy udhëtime në Lindjen e Mesme.

Tani, me armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit të zgjatur për dy ditë të tjera, Blinken u nis të hënën për në Bruksel për një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Në Bruksel, aleanca do të riafirmojë mbështetjen e saj për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, do të shqyrtojë mënyrat e zbutjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të shikojë përgatitjet për 75-vjetorin e NATO-s vitin e ardhshëm.

Sesioni dy-ditor të martën dhe të mërkurën do të përfshijë takimin e parë në nivel ministër të jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë, një organ i krijuar nga krerët e aleancës në samitin e tyre të fundit për të përmirësuar bashkëpunimin dhe koordinimin dhe për të ndihmuar në përgatitjen e Kievit për anëtarësimin përfundimtar.

“Aleatët do të vazhdojnë të mbështesin vetëmbrojtjen e Ukrainës derisa Rusia të ndalojë luftën e saj të agresionit”, tha Jim O’Brien, diplomati më i lartë i SHBA-ve për Evropën.

Në një telefonatë me gazetarët të hënën, O’Brien tha se Blinken mund të udhëtojë në Shkup, Maqedonia e Veriut, pas Brukselit për një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se ka në plan të marrë pjesë në takimin e OSBE-së, ndoshta duke krijuar terrenin për një konfrontim SHBA-Rusi për Ukrainën.

Takimi i NATO-s në Bruksel do të trajtojë gjithashtu situatën në Ballkanin Perëndimor, ku ka thirrje që NATO të rrisë praninë e saj ushtarake në përgjigje të shqetësimeve se armiqësia midis Serbisë dhe Kosovës mund të përshkallëzohet në konflikt të drejtpërdrejtë.

Konflikti mes palëve ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kërkoi NATO-s të rrisë më tej forcat e saj ushtarake në Kosovë dhe të sigurojë kufijtë e vendit me Serbinë, duke paralajmëruar se dhuna e fundit mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë ballkanik.

NATO ka forcuar tashmë praninë e saj ushtarake në Kosovë  me rreth 1 mijë trupa shtesë dhe armatime më të rënda, duke e çuar dislokimin e saj atje në rreth 4 mijë e 500 trupa.

Blinken do të nënvizojë mbështetjen e SHBA-ve dhe NATO-s për demokracinë dhe stabilitetin në rajon, duke përfshirë një angazhim për të mbështetur aspiratat e të gjitha vendeve për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, tha O’Brien.

Përveç Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, ministrat do të diskutojnë gjithashtu planet për samitin e 75-vjetorit të aleancës që do të mbahet në Ëashington në korrik 2024, në të cilin aleatët do të festojnë themelimin e NATO-s dhe do të nxjerrin në pah atë që liderët e quajnë aleanca ushtarake më e suksesshme në histori.

Të ngjashme