OpEd
Udhëkryqet fatale të shqiptarëve
Demokracia
10:23 | 01 Gusht 2022

Share:

Shkruan: Mentor Kikia

Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shenjë që të tregojnë se ka në plan ta frenojë ambicien e tij për një mandat të katërt në krye të qeverisë, nëse mbeten socialistët në pushtet. Ndaj dhe debatet shpesh nuk orientohen nëse duhet apo nuk duhet, por nëse e fiton dot apo jo. Pa hyrë në bilancet ekonomike të qeverisë socialiste nën drejtimin e tij, tre mandate në pushtet për një politikan janë shumë. Pastaj, katër, nuk duhet të ketë përkufizim.

Në librin e tij të famshëm “Ngritja dhe rënia e kombeve”, Ruchir Sharma, ndërsa analizon sjelljen e politikanëve në raport me suksesin e tyre në qeverisje, thotë: “Periudhat më pak të mbara janë ato kur lideri bëhet pothuajse bajat nga qëndrimi në pushtet dhe kërkon ta zgjasë duke u dhuruar aleatëve të fuqishëm dhe grupeve të caktuara copa të majme të ardhurash nga qeveria. Kështu, tregoni kujdes se cilët janë udhëheqësit që po vegjetojnë dhe po rrinë në pushtet më shumë sesa janë të mirëpritur- ato janë një nga shenjat se punët po shkojnë gjithnjë e më keq”.

Mandati i tretë e socialistëve në qeveri filloi më shumë si një aksion i sforcuar promocioni. Publikime në media apo rrjetet sociale të çdo shtëpie të rindërtuar pas shkatërrimit nga tërmeti, përurime rrugësh nga 3-4 herë, vizita nëpër fusha me perime e sera, “inspektime” nëpër kantire, të sajuara vetëm e vetëm për publikime.

Ata duken të lodhur dhe, të gjendur mes një vale akuzash për korrupsion, i kanë besuar shumë makiazhit për të qëndruar ende në ring, me shpresën e një mandati të katërt. Por jo vetëm kaq. Socialistët duket se shpresën më të madhe të fitimit të garës nuk e kanë tek ecja e makinës së tyre më shpejt, por tek shpimi i gomave të makinës së kundërshtarit. Ata janë besimplotë se Berisha, tashmë në një kurs përplasjeje për “jetë a vdekje” me Perëndimin, me dy “non grata” dhe një mos-konsiderim(deri tani) nga Brukseli, është kandidaturë e gjunjëzuar politike. Ndërsa aksioni politiko-ligjor i ngritur ndaj Ilir Metës tregon se socialistët janë më të trembur për ta humbur pushtetin nga sa mund ta mendojmë ne.

Referuar deri tani, Edi Rama, me tre mandate kryeministër garon vetëm me dy politikanë, Erdoganin dhe Putinin (mos konsideroni rastin epokal të Angela Merkel). Të dy këta, në fillimet e pushtetit, veçanërisht mandatet e para, reformuan dhe futën ekonomitë e vendeve të tyre në rrugën e zhvillimit. Askush nuk mohon sot se ringritja e Rusisë dhe ngritja e Turqisë në nivelin më të lartë që ka njohur deri tani, ishin meritë e këtyre udhëheqësve. Por më pas, suksesi dhe ambicia i shndërruan në arrogantë, harbutë dhe abuzues me pushtetin, ekonominë, liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata menduan se suksesi u jep të drejtë të jenë të përjetshëm në ato poste. Si Putin ashtu dhe Erdogan, në kulmin e pushtetit modifikuan ligjet për ti zgjatur jetën pushtetit të tyre, apo duke kaluar nga njëri post në tjetrin(herë kryeministër e herë president). Sot këto vende janë duke vuajtur pikërisht arrogancën dhe degradimin e pushtetit të këtyre udhëheqësve.

Shqipëria është sot një vend unik në Evropë, pasi në skenë janë tre politikanë.

Një politikan si Edi Rama, në pushtet dhe pjesë e pushtetit prej 1998, me tre mandate kryeministër dhe që është i bindur se do të fitojë edhe të katërtin.

Një politikan si Sali Berisha, aktor politik që prej 1990, që ka qenë kryeministër dhe president, dhe që kërkon të rikthehet sërish në zyrën e kreut të qeverisë.

Një politikan si Ilir Meta, në skenë prej 1990, ish kryeministër e ish president, që zbret sërish në betejën politike, me ambicie pushteti.

Të shterur nga idetë dhe energjitë, askush prej tyre nuk ka një plan se çfarë mund dhe duhet bërë në këtë vend dhe më këtë popull. Ata kanë patur gjithçka në dorë për të bërë më të mirën që mendonin se mund të bënin. Ata janë kthyer tashmë në tre gladiatorë, që luajnë gjithmonë 2-1, dhe në pushtet qëndron ai që vret kundërshtarin dhe jo ai që ka platformën dhe idenë më të mirë për të qeverisur.

Socialistët në mandatin e tretë s’po kanë kohë për punë, pasi u duhet të punojnë më shumë për të mbyllur vrimat që hapin ministrat me skandalet e korrupsionit. Ndërsa Berisha dhe Meta, të ikur nga pushteti gjithashtu me një barrë akuzash për korrupsion, shpresojnë të vijnë në pushtet me teorinë se Rama është edhe më i korruptuar.

Ndaj dhe politika sot është mbërthyer në një luftë të pamoralshme dhe të shëmtuar. Berisha lufton me non-gratat, ndërsa Rama dhe Meta luajnë “sigurimsash”.

Në fund të fundit, atë mendojnë se shqiptarët nuk do të kenë zgjidhje tjetër. Sado të mos i pranojnë, ata ditën e zgjedhjeve do të zgjedhin njërin prej tyre.

Kush mbetet gjallë deri në 2025 është fitues i sigurtë.

Ky është fataliteti jonë!

Të ngjashme