Lajme
U vodh në Suedi e u çmontua në Fushë-Kosovë – “Porsche” rikthehet në gjendjen e mëparshme
Demokracia
22:09 | 14 Shkurt 2023

Share:

Pronarin e kishte mijëra kilometra larg, në Suedi. Por, një veturë e tipit “Porsche”, përfundoi tek një kosovar në Fushë-Kosovë. Ky i fundit e bleu prej një burri nga shtetit nordik.

Makina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli si e vjedhur, derisa u lokalizua në Sllatinë një autoservis. Ajo ishte demoluar, pasi pjesë të saj ishin hequr e i ishin vendosur një tjetre të po të njëjtës markë. Megjithatë, pas intervenimit nga organet e rendit, automjeti është rikthyer në gjendjen e mëparshme, raporton Klan Kosova.

Nga autoservisi që punoi në veturë nuk pranuan të flasin rreth rastit, me arsyetimin se nuk kishin njohuri se ajo ishte e vjedhur. Derisa burri i dyshuar për këtë rast është intervistuar dhe është liruar në procedurë të rregullt.

“Me t’u lokalizuar kjo veturë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në koordinim të plotë me policinë e Kosovës. Me urdhër të prokurorit vetura është sekuestruar përkohësisht deri në një vendim tjetër të radhës”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Mësohet se i dyshuari kishte njohuri se makina ishte e vjedhur kur e bleu atë. Derisa policia kosovare ishte njoftuar nga autoritetet e shtetit suedez se ajo po qarkullonte në shtetin ballkanik.

Ndërkaq, prokuroria ka filluar procedurat për dërgimin e saj në vendin e origjinës, nëpërmjet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar

Të ngjashme