Lajme
“U amnistuan kriminelët” | Partia e Kurtit shpik gënjeshtrën e tmerrshme në përvjetorin e vrasjes së shqiptarëve në “Natën e tmerrit” në Mitrovicë
Demokracia
18:34 | 04 Shkurt 2024

Share:

“Në vitin 2013, 13 vite pas masakrës së 3-4 shkurtit, mazhoranca e asaj kohe bashkë me disa nga partitë opozitare hartuan e miratuan ligjin për amnistinë e kriminelëve në veri të vendit tonë. Atë botë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe deputetët kundërshtuan dhe rezistuan për të mos ta miratuar këtë akt të turpit. Për fat të keq ligji kaloi dhe amnistia ndodhi”.

Me anë të përkujtimit të përvjetorit të 24-të të “Natës së tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit 2000”, ku në Mitrovicën e Veriut u vranë 10 shqiptarë dhe u dënuan me mijëra të tjerë, Lëvizja Vetëvendosje ka shpikur gënjeshtrën e radhës, sipas të cilës në vitin 2013, Kuvendi i Kosovës me anë të një ligji ka amnistuar kriminelët në veri dhe rrjedhimisht edhe kryerësit e vrasjeve dhe dëbimeve, shkruan Demokracia.com.

Në këtë përkujtim, partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka përmendur emrin e njërit prej organizatorëve të kësaj ngjarje të tmerrshme, Oliver Ivanoviqit, aministimi i të cilit filloi pikërisht nga kryeministri Kurti, i cili e kishte përkujtur atë me fjalë të mëdha në përvjetorin e 5-të të vrasjes së tij, duke e heroizuar atë më 16 janar 2023.

E VËRTETA PËR LIGJIN E AMNISTISË TË VITIT 2013

Ligji për Amnistinë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2013, në asnjë rast nuk ka amnistuar veprat që kanë të bëjnë me gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, ku përfshihen: vrasje, shfarosje, skllavërim, deportim ose përzënie me dhunë të popullsisë, torturim, burgosje ose privime të tjera të rënda të lirisë fizike në kundërshtim me rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare, dhunim, skllavëri seksuale, prostitucion të detyruar, shtatzëni me dhunë, sterilizim të detyruar, persekutim, zhdukja e detyruar e personave, krimet e aparteidit dhe vepra të tjera çnjerëzore, shkruan Demokracia.com.

Neni 4 i Ligjit për Amnistinë tregon se veprat e mësipërme, të parapara në Kapitullin XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullin XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976 – janë të përjashtuara nga Amnistia.

Po me këtë nen, përjashtohen nga amnistia edhe veprat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje.

Neni 4 hedh poshtë gënjeshtrën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kalon kufijtë e betejës së brendshme politike. /Demokracia.com/

Të ngjashme