Lajme
Tre vjet nga parabugimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale: VV përmend veç Rexhep Selimin, PDK të gjithë
Demokracia
23:33 | 05 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i vendit Albin Kurti, së bashku me Kryetaren e Grupit Parlamentar Mimoza Kusari, deputetin Salih Zyba e disa të tjerë, kanë vizituar familjen e ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimin, i cili sot tre vjet është dërguar në paraburgim në Hagë, nga Gjykata Speciale.

Por, në këtë datë në paraburgim ishin dërguar edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup e Jakup Krasniqi.

Në platoformën e tyre Facebook, Vetëvendosje, e ka quajtur gabim të pushteteve të kaluara Gjykatën Speciale. Vetëvendosje ka kërkuar e uruar që Selimi të lirohet sa më parë, nga siç thuhet aty, kjo Gjykatë e padrejtë.

Në komunikatën e lëshuar nga ta, për Selimin ndër të tjera thuhet: 10-shi fitimtar e çlirimtar, Rexhep Selimi na mungon!

“10-shi fitimtar e çlirimtar, Rexhep Selimi na mungon!

Rexhep Selimi tash e tre vjet mban burgun në Hagë. Deputeti ynë qysh prej vitit 2010 kur vendosëm së pari të marrim pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Ish-kryetari i grupit tonë parlamentar, ish-anëtari i kryesisë, të cilin mezi e presim të na kthehet, për këto detyra e për detyra të tjera të rëndësishme. Mbetemi të patudur në bindjen se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë. Prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta, atëherë kur vendosej për to. Por ja që, gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë.

Sot, Kryeministri Kurti, bashkë me Kryeparlamentarin Konjufca, Sekretarin Organizativ, Alim Rama, Shefen e Grupit Parlamentar të LV, Mimoza Kusari-Lila, deputetin, Salih Zyba, këshilltarin e kryeministrit për Maqedoni të Veriut, Bekim Qoku, Kryetarin e Gostivarit, njëherit Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe deputetin e ASh, Halil Snopçe, ishin në vizitë te familja e Rexhep Selimit në Prishtinë, te Shqipe Mehmeti-Selimi, deputetja jonë, ish-lufëtarja e UÇK-së, bashkëshortja e Rexhep Selimit.

Rexhep Selimi na mungon. Kërkojmë dhe urojmë që sa më parë të lirohet nga gjykata e padrejtë, nga mbajtja e padrejtë në Hagë.” – thuhet në postimin e Vetëvendosjes.

Në anën tjetër i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një shkrim të titulluat “Heronjtë janë më shumë se individë – pa çka se bartin emra të përveçëm”, përveç Thaçit, Veselit e Krasniqit, s’ka nguruar ta përmend edhe ish Kryetarin e Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimin.

“Heronjtë janë më shumë se individë – pa çka se bartin emra të përveçëm.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre, simbolizojnë forcën, kurajon dhe frymëzimin i cili ka përbashkuar një popull.

Pavarësisht nga muret dhe kufizimet, shembulli dhe emri i tyre në mënyrë të pashmangshme i tejkalon ato dhe shkëlqen mbi Kosovë, duke ndriçuar rrugën për brezat që do të vijnë.” – ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Ndërkohë, Nacionale në tre vjetorin e paraburgosjes së ish udhëheqësve të UÇK-së, ka zhvilluar intervistë me Avokatin e z.Thaçi, Avokatin Keohe.

Të ngjashme