Lajme
Tre vjet, asnjë njohje: Dikur VV-ja ankohej se një njohje në vit ishte pak
Demokracia
22:28 | 24 Shkurt 2024

Share:

Një nga sektorët më të kritikuar në Qeverinë Kurti është politika e jashtme. Kjo për faktin se për tri vite asnjë shtet nuk e ka njohur Republikën e Kosovën dhe vendi nuk ka bërë asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Qeveria Kurti ishte ardhur në pushtet me zotime të mëdha për sektorin e politikes se jashtme, duke u zotuar edhe për njohje të reja.

Madje, deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në vitin 2020 kishte shkruar një status, ku pretendonte se një njohje në vit është pak për Kosovën, transmeton nacionale.

Viti 2020 filli mbarë. Në 2018 kishim vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje. Sot Xhamjak e ka njohur Republikën e Kosovës. Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja, investime e edhe liberalizimin e vizave”, kishte shkruar ajo.

Ndonëse as Xhamajka nuk na kish njohur, zotimet e Pacollit dukën shumë të largëta në Qeverinë Kurti.

Janë bërë tri vite që Qeveria Kurti ka gjithë pushtetin, por nuk kemi marrë asnjë njohje nga ndonjë shtet.

Njohja e fundit është nga shteti i Izraelit, e cila kishte ardhur në kohen e Qeverisë Hoti.

Opozita nuk pret njohje të reja

Zyrtarët e opozitës nuk presin njohje të reja në këtë mandat qeverisës.

Ata kanë vlerësuar se Kosova nuk ka fare politikë të jashtme.

Deputetja e PDK-së, e cila është anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, ka thënë se mungesa e njohje flet shumë për këtë qeveri.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se nuk ka as lobim në këtë drejtim.

Qeveria Kurti na bind që ardhjen në pushtet e ka pasur për qëllim zhbërjen e Kosovës shtet. Mjafton fakti që prej ditës kur Qeveria Kurti 1 dhe tani Kurti 2 janë në udhëheqje të shtetit nuk kemi asnjë njohje. Ndërsa nga 5-shja refuzuese e BE-së kemi përforcim të qëndrimit jo-njohës ndaj Republikës se Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka vlerësuar se Kosova nuk ka as vizita të rëndësishme.

Nuk kemi asnjë vizitë të nivelit siç është Presidenti apo Sekretari i SHBA-ve, por edhe lobimi për Kosovën është zbehur tej mase. Pra, kemi mbet një shtet pa relevancë, pa miq dhe me të ardhme të lëkundur”, ka thënë Musliu-Shoshi.

I shqetësuar me këtë fakt është shprehur edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.

“Kosova nuk ka politikë të jashtme, përveç nëse nuk e cilësojmë të tillë ftohjen deri në acarim të raporteve të Qeverisë Kurti me miqtë dhe aleatët tradicionalë të Kosovës në kohën e trazimeve të mëdha gjeostrategjike”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, Kosova është nën sanksione të BE-së për fajin e Qeverisë Kurti.

Kosova po i vuan pasojat e sanksioneve tash e tetë muaj, me dëme të matshme materiale – qindra milionë euro të humbura deri tani – dhe dëme të pamatshme në punë të imazhit të vendit tonë, si i vetmi shtet në këtë pjesë të Evropës i sanksionuar nga Perëndimi për fajin e Qeverisë së vet të papërgjegjshme”, ka shkruar Hamiti.

Të ngjashme