Lajme
Tokën amerikane s’e shkeli për 400 ditë| Fillimi i vitit e gjen Kurtin në Turqi, jo në SHBA
Demokracia
11:34 | 12 Mars 2022

Share:

Janë bërë 393 ditë prej kur kryeministri Albin Kurti mori pozitën për herë të dytë. 393 është edhe numri i ditëve që Kurti s’e ka vizituar SHBA-në nga pozita e të parit të ekzekutivit, praktikë kjo jo fort e zakonshme për kryeministrat kosovarë. Kishte premtuar se vizita do të realizohej në fillim të vitit 2022, por kjo kohë shefin e ekzekutivit e gjen në Turqi.

Kurti gjatë kohës sa ka qenë në opozitë është njohur për një retorikë anti-amerikane, megjithatë shpresohet të mos jetë kjo arsyeja e mosvizitës së tij te aleati më i madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, përcjell Demokracia.com.

Rreth 10 muaj pasi e mori pushtetin, në nëntor, ishte paraparë vizita e kryeministrit në SHBA, por ajo nuk ndodhi.

Kështu, kryeministri kishte deklaruar se do ta vizitojë SHBA-në në fillim të vitit 2022, megjithatë kjo periudhë e gjen atë në Turqi, në Forumin e Diplomacisë. Turqia në fakt është një prej vendeve ku krerët e ri shtetërorë e vizitojnë më së shpeshti, pasi atje ndodhen edhe presidentja Vjosa Osmani e kryediplomatja Donika Gërvalla.

Për vizitën e tij në Uashington, Kurti u deklarua edhe para tre ditëve, ku sipas tij, planifikon të qëndrojë dy javë për shkak të “agjendës dhe takimeve të shumta” që po planifikon atje, përcjell Demokracia.com.

“Sa i përket vizitës në SHBA, mendoj se pengesa kryesore është logjistike-teknike. S’mund të shkojë për tri ditë, por dua të shkojë për një javë apo 10 ditë. Shteti është më i madh. Edhe takimet që dua t’i bëjë atje do jenë më të shumta. Për shkak të situatës ku jemi, jemi detyruar ta shtyjmë dhe kjo vizitë do të ndodhë në pranverë. Jo që do shkoj, por edhe do kthehem”, ka thënë Kurti pak ditë më parë.

Sidoqoftë, ndryshe prej Kurtit, kryeministrat paraprak kanë zhvilluar që të gjithë vizita në SHBA brenda vitit të parë qeverisës.

Demokracia.com më poshtë ju sjellë një pasqyrë të vizitave të kryeministrave në SHBA, duke nisur nga Hashim Thaçi deri të Avdullah Hoti:

Hashim Thaçi, korrik 2008

Kryeministër i Kosovës gjatë kohës kur u shpall pavarësia ishte Hashim Thaçi. Ky i fundit, vizitën e zhvilloi vetëm disa muaj më vonë, në korrik të po atij viti.

Gjatë asaj kohe, ish-kryeministri Thaçi zhvilloi takime të shumta, derisa falënderoi presidentin Bush për mbështetjen e Kosovës që nga lufta e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Isa Mustafa, shtator 2015

Isa Mustafa u zgjodh Kryeministër i Kosovës në dhjetor të vitit 2014. Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 2015, Mustafa vizitoi SHBA-në.

Atë kohë, Mustafa kishte qëndruar në New York, ku u takua me zëvendësndihmës-sekretarin amerikan të shtetit për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, përcjell Demokracia.com.

Ramush Haradinaj, shtator 2018

Ramush Haradinaj mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës më 23 shtator të vitit 2017. Por, vizitën e parë në SHBA e bëri fiks pas një viti.

Haradinaj në vizitën e parë si kryeministër në SHBA ishte takuar me senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell Demokracia.com.

Avdullah Hoti, shtator 2020

Avdullah Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës më 3 qershor të vitit 2020. Hoti vizitën në SHBA e zhvilloi vetëm pak muaj më vonë, më 2 shtator 2020. Vizita zgjati disa ditë.

Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, kishte takuar Drejtorin Ekzekutiv të Koorporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation- MCC), Sean Cairncross.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, Hoti nënshkroi marrëveshje me Aleksandar Vuçiqin e Serbisë.

Kjo marrëveshje i siguroi Kosovës njohjen nga Izraeli./Demokracia.com/

Të ngjashme