Lajme
Tokat e Manastirit, Zajednica, dialogu pa kushte, si i “kapërdiu” Albin Kurti fjalët e veta
Demokracia
18:36 | 13 Mars 2024

Share:

Një jetë duke ndërtuar, “luftuar” e ngritur kauza, që në fund i pranon pa kurrfarë telashesh.

Kjo pak a shumë është jeta politike e kryeministrit Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Protesta të dhunshme nga të cilat kemi edhe qytetarë të vrarë, shkatërrim i pronës publike, prishje e marrëdhënieve me aleatët, lëndim i policëve, vonim në procese të rëndësishme të Kosovës, janë të vetmet rezultate nga veprimtaria politike e Kurtit, njeriut që po i pranon krejt ato që për vite me radhë i kundërshtoi.

Kurti sot e “kapërdiu” edhe një kauzë të tij. Ai e obligoi Agjencinë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit.

Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, me fjalime të zjarrta, për shumë vite e kundërshtuan vendimin që 24 hektarë tokë t’i jepen Manastirit të Deçanit.

Më 2013, për dallim nga sot, Kurti nuk e kuptonte se çka i duhen priftërinjve serbë ato toka, të cilat tash i veshur me petkun e kryeministrit po pajtohet që t’ia japë në heshtje, shkruan Demokracia.com.

“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vet dhe unë jam dakord që duhet të ketë ca tokë që i nevojitet për punë dhe jetesë priftërinjve aty. Mirëpo, jo kjo të jetë në llogari të popullatës lokale. Në fund të fundit, ata priftërinj që janë në Manastir të Deçanit kanë nevojë për tre hektarë e katër, e kështu me radhë. Po çka i duhen 1 mijë hektarë? Çka do të bëjnë ata priftërinj aty me 1 mijë hektarë? Ajo është tepër shumë, për ata tepër pak njerëz që jetojnë e banojnë aty”, thoshte Kurti në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.

Sipas tij, xhamia, kisha, manastiri, sinagoga, teqja dhe tempujt e tjerë fetarë duhet të jenë të përqëndruar në aspektin shpirtëror e hyjnor të jetës dhe gjithësisë e jo në prona e pasuri.

“Ne kemi besuar që pas shpalljes së pavarësisë do të kemi ndëprerje të kësaj padrejtësie dhe çrrënjosje të saj e jo sforcim të saj, siç ishte rasti në Gjykatën Supreme, por mbase ky është dallimi i pavarësisë me vetëvendosje dhe pa vetëvendosje”, thoshte Kurti pa kravatë, përcjell Demokracia.com.

Njeriu më i zëshëm kundër vendimit për tokat e manastirit deklaronte se Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje, pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastiri i Deçanit, siç e dimë të gjithë, është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të manastirit, por edhe liderët fetarë të manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë është e mundur”, shprehej ai.

Dialogu me kushte, që u bë pa kushte

Një tjetër premtim që e kapërdiu Kurti është edhe ai për dialogun. Kurti thoshte se për tu kthyer në dialog, Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera. Serbia duhet të na dorëzojë kriminelët e luftës.

Këto ishin dy nga rreth 10 kushtet që sipas liderit të Lëvizjes Vetëvedosje, Albin Kurtit dhe partisë së tij duhet të plotësohen nga Serbia, në mënyrë që Kosova të pranojë të ulet në tavolinën e dialogut me këtë shtet përgjegjës për qindra masakra mbi popullsinë shqiptare, mijëra viktima dhe miliarda dollarë dëme materiale.

Për një dekadë, opozitari Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje kanë keqpërdorur “plagët e luftës” kur kanë kundërshtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Që nga viti 2011, kur dialogu ka filluar zyrtarisht, Kurti dhe Vetëvendosje e kanë kundërshtuar hapur këtë proces. Për vite të tëra, Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti kanë prezantuar para qytetarëve të Kosovës “pakon” me kushtëzime, të cilat duhet të plotësohen nga Serbia, në mënyrë që Kosova të pranojë të dialogojë me këtë shtet.

“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk ëshë pjesë e kurrfarë bisedimesh me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdoqoftë me Serbinë përderisa ajo: [1] nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, [2] nuk e ndërron Kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, [3] nuk na kërkon falje për krimet e kryera, [4] nuk na i doëzon kriminelët e luftës, [5] nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masimve ose informatat për ta, [6] nuk na i kthen librat kadastralë dhe fondin pensional, [7] nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë, [8] nuk e ndërpret financimin e strukturave paralele”, prezantonte Kurti kushtet që duhej të plotësoheshin nga Serbia.

Negociatorët e asaj kohe akuzoheshin nga Kurti dhe Vetëvendosje se po pranojnë të dialogojnë me Serbinë, që është përgjegjëse për qindra masakra mbi popullsinë shqiptare, mijëra viktima dhe miliarda dollarë dëme materiale.

Por, që nga viti 2020/2021, situata politike në Kosovë ka pësuar ndryshime.

Kundërshtari i madh i dialogut pa kushte me Serbinë, Albin Kurti është bërë kryeministër dhe çuditërisht, pa asnjë refuzim dhe asnjë kushtëzim, shkoi në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër për propagandë i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

Ai la në harresë kushtëzimin e dialogut dhe premtimin e madh që ua kishte dhënë shqiptarëve.

Në takimin e parë, më 15 qershor 2021, Kurti ishte munduar të improvizojë një propozim me 4 kushte për zhvillimin e mëtejmë të dialogut me Serbinë. Askush nuk i mori parasysh këto propozime/kushte të kryeministrit Kurti, ndonëse para mediave ai shfaqte shpresë se do të konsideroheshin nga Vuçiq e Selakoviq.

Në asnjërën nga këto kushte, Kurti nuk kishte përmendur kushtet e trumbetuara si opozitar.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, deklaronte Kurti.

Në këtë propozim 4 pikësh, parashihej që [1] Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në, [2] Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty, [3] Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi, dhe [4] Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Në takimin e dytë, më 19 korrik 2021, kryeministri Albin Kurti kishte propozuar Deklaratë të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim as nuk ishte lexuar në takim dhe ishte refuzuar, shkruan Demokracia.com.

“Për mua, kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, deklaronte Kurti pas takimit në Bruksel me presidetin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë Deklaratë për Paqe të propozuar nga Kurti askund nuk përmendej “kërkimfalja e Serbisë për krimet në Kosovë” dhe as “dorëzimi i kriminelëve të luftës”.

“Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë. Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen. Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh”, thuhej në marrëveshjen e propozuar nga Kurti.

ZAJEDNICA

Albin Kurti e pranoi edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo siç e quante ai Zajednica.

Kurti ka qenë në ballë të opozitarizmit të dhunshëm në shtetin e sapoformuar të Kosovës, fati i të cilit është i lidhur domosdoshmërisht me konsolidimin në arenën ndërkombëtare.

Sot, Republika e Kosovës, është prapa në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, edhe për shkak të kësaj bllokade një-dekadëshe.

Kurti dhe Vetëvendosje nuk kanë pranuar të dëgjonin për asnjë moment shpjegimet e të tjerëve, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë. E vërteta u takonte vetëm atyre dhe sipas tyre politikanët tjerë po kryenin tradhti.

Duket ironike, por bllokuesit e këtij zhvillimi kanë hyrë në zyret më të rëndësishme të shtetit dhe marrin rroga të majme e gëzojnë beneficione të mëdha që ua ofron shteti që e bllokonin.

Por, pas bllokadës një-dekadëshe, me arsyetimin se po bllokojnë një projekt të rrezikshëm kundër Republikës së Kosovës, siç është Zajednica / Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ata kanë vendosur që të kujdesen më shumë për fatin e tyre personal politik sesa (gjithnjë sipas këndvështrimit të tyre të dikurshëm) për atë të Kosovës, pikërisht tani kur kanë pushtetin.

Beneficionet që ofron zyra e shtetit i ka bërë “të harrojnë” paralajmërimet e dikurshme dhe tani Zajednica nuk është një projekt i rrezikshëm.

Po këta drejtues shtetërorë kanë “harruar” edhe premtimin që ua dhanë shqiptarëve se me ardhjen e tyre në pushtet do të anuloheshin të gjitha marrëveshjet e dëmshme të arritura në dialogun Kosovë – Serbi, në mesin e tyre edhe ajo më e rrezikshmja: Zajednica.

Kurti dhe të tjerët afër tij që mbajnë përgjegjësi të madhe kombëtare për bllokimin e zhvillimit të Republikës së Kosovës, tani po e pranojnë se Marrëveshja e 2013-es për Asociacionin, e kohës së ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte më e mirë dhe e sillte njohjen de-facto të Republikës së Kosovës nga Serbia.

“Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit [në Mitrovicë]”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”, janë përmbledhjet e qindra deklaratave të dhëna nga Kurti.

Nga një njeri që premtonte Bashkimin Kombëtar, Albin Kurti po përfundon në një politikan që nuk do të mbahet mend për asnjë vepër madhore kombëtare. Në fakt, Albin Kurti duket se ia ka lënë vetes emrin më të padëshiruar prej tij: “Albin Zajednica”.

Ky emër i rëndë mund t’i bëhet vulë e dështimit të tij politik.

Njeriu që si opozitar fliste vazhdimisht për kombin shqiptar, nuk ngurronte asnjëherë që Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe ta quante në serbisht “Zajednicë”, për të treguar se sa e keqe ishte, shkruan Demokracia.com.

Por, çuditërisht, kur Kurti u bë kryeministër dhe të gjithë prisnin që ai ta varroste përnjëmend Zajednicën, ai e bëri të kundërtën.

Sot, Albin Kurti e mbron fuqishëm idenë që komunat me shumicë serbe të organizohen në një Asociacion. Albin Zajednica është një emër që e gjeni të shkruar gjithandej nëpër Kosovë. Njeriu i dhënë pas shkrimit të sloganeve nëpër qytete të Kosovës, papritmas e gjen vetën në muret e çdo qyteti të Kosovës. Dikur Albin Kurti e shkruante parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje”, sot të tjerët po bëjnë të njëjtën gjë duke shkruar “Albin Zajednica”, për njeriun që nuk i tha asnjëherë jo negociatave me Serbinë sapo u bë kryeministër. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme