Lajme
Tmerruese: Qeveria ftoi ekipin menaxhues të Asociacionit vetëm në ditën kur u njoftua formimi i Komitetit Monitorues
Demokracia
11:21 | 27 Prill 2023

Share:

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në opinionin publik. Kësaj here, disa komente/sqarime shtesë i dha ministri Elbert Krasniqi, të cilit duhet t’i raportojë ky ekip. Çka mësuam të re?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën derisa fliste për ekipin menaxhues dëshmoi që as vetë nuk kishte njohuri të mjaftueshme.

“…ka një vendim të fundit të ish zv. kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020 për një ndërrim të përbërjes (të ekipit menaxhues). Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet.” – u shpreh ai.

Ai tutje njoftoi opinionin se ministri Elbert Krasniqi iu kishte bërë ftesë mirëpo sipas tyre “ata nuk janë përgjigjë asnjëherë,”

Çka tha Elberti?

Ministri Elbert Krasniqi njoftoi që këtë ftesë e kishte bërë vetëm më 18 prill, pra të martën e javës së kaluar, për një takim më 20 prill. Por, nuk kanë marrë përgjigje.

Sidoqoftë, a është e vërtetë përgjigja e Kurtit se “ata nuk janë përgjigjë asnjëherë”? Krasniqi nuk tregoi për ndonjë ftesë tjetër për takim ndaj ekipit menaxhues që do ta bënte të vërtetë deklaratën e shefit të tij, Albin Kurtit.

A iu doli gjumi vonë?

Ftesa për ekipin menaxhues më 18 prill tingëllon e çuditshme marrë parasysh që kryeministri Kurti më 27 shkurt e kishte bërë Marrëveshjen e Rrugës për Normalizim në Bruksel dhe më pas Aneksin e Zbatimit më 18 mars.

Prej atëherë, ka kaluar tashmë shumë kohë dhe janë bërë disa hapa të rëndësishëm, shkuan Nacionale.

Neni 10 i Marrëveshjes së Brukselit thekson që “Të dyja palët konfirmojnë obligimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbesin valide dhe të obligueshme.”

Kjo nënkupton se edhe puna e ekipit menaxhues ndodhej brenda marrëveshjeve të kaluara të Dialogut.

Por, duket se kjo është kuptuar shumë vonë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ministri Krasniqi i ka dërguar ftesë për takim ekipit menaxhues pikërisht në ditën kur BE-ja njoftoi për formimin e Komitetit të Përbashkët Monitorues, i cili do të bëjë mbikëqyrjen e ujdive të Brukselit dhe Ohrit.

Ky Komitet do të udhëhiqet nga Mirosllav Llajçak, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga ana e ambasadorit Agron Bajrami.

Ekipi menaxhues pritet të ofrojë draftin e statutit të Asociacionit në Bruksel, por nuk dihet nëse një gjë të tillë do ta bëjë më 2 maj në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Kujtojmë se ekipi menaxhues kryesohet nga ana e znj. Danijela Vujiçiq, një qytetare nga Mitrovica e Veriut që kryen detyrën e deputetes në Parlamentin serb nga radhët e partisë së Aleksandër Vuçiqit.

Në anën tjetër, Nacionale dje ka raportuar me anë të burimeve se në përgatitjen e një statuti të Asociacionit mund të jenë duke u marrë edhe ShBA-të me BE-në, duke e lënë jashtë loje kësisoji kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.

Të ngjashme