Lajme
Themelimi i Asociacionit, Hovenier: E mirëpresim momentin kur Qeveria do të ofrojë idetë e saj
Demokracia
22:02 | 12 Tetor 2022

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja e mirëpret një propozim të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Hovenier ka thënë se Asociacioni duhet të krijohet në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe duke e respektuar Kushtetutën e vendit, përcjell Demokracia.com.

Në një intervistë në emisionin “Contex” të ATV-së, ambasadori amerikan ka thënë se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet.

“Kjo është ndër fushat në të cilat e kemi nxitur Qeverinë e Kosovës që të përqendrohet më shumë ose ndoshta ta them në mënyrë tjetër: është ndër ato zotimet e bëra që ne besojmë se duhet të zbatohet. Dëshiroj të ndalem pak te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, madje edhe më i hershëm se kjo, por u bë zotim me marrëveshjen e Brukselit. Ne besojmë se ky zotim duhet të zbatohet. Por, ne kemi qenë shumë të qartë se janë disa dispozita në bazë të të cilave duhet të zbatohet. Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi.”, tha ai.

Sipas ambasadorit amerikan ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës. E mirëpresim momentin kur qeveria e Kosovës do të ofrojë idetë e saj rreth mënyrës më të mirë për të përmbushur këtë zotim që qeveria e Kosovës e ka bërë përmes marrëveshjes së Brukselit, por në mënyrë që respekton Kushtetutën e saj dhe që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”, është shprehur Hovenier.

Të ngjashme