Lajme
Thellohet skandali i Qatargate: Zyrtarë të lartë udhëtuan pa pagesë në “bussines class” me Qatar Airways
Demokracia
13:01 | 28 Shkurt 2023

Share:

Bashkimi Europian është ende në vorbullën e Qatargate. Sot pritet një shqyrtim i ri për lirimin nga burgu të Eva Kailit dhe Mark Tarabellës, ndërsa në të njëjtën kohë kanë dalë në dritë detaje të reja të çështjes që tronditën Parlamentin Europian.

Sipas Politico, një zyrtar i lartë i Komisionit në sektorin e transportit udhëtoi falas nga qeveria e Katarit ndërsa ekipi i tij po negocionte një marrëveshje të madhe aviacioni, jetike për linjën ajrore.

Henrik Hololei, drejtor i përgjithshëm i departamentit të transportit të Komisionit Europian, fluturoi falas nëntë herë me biznes class në Qatar Airways midis 2015 dhe 2021, sipas detajeve të marra nga Politico.

Gjashtë nga fluturimet falas u zhvilluan ndërkohë që po hartohej marrëveshja për aksesin e Qatar Airëays në tregun europian. Brenda BE-së tashmë ka nisur një fushatë për të vazhduar me hetimet për këtë rast konkret.

Hololei, siç raportohet nga Politico, nuk pranoi të japë asnjë koment. Një zëdhënës i Komisionit mbrojti vendimin e Hololeit për të pranuar fluturimet falas të Qatar Airways.
Në janar 2017, disa muaj pasi ekipi i Hololeit në Komision filloi të punojë në linjat ajrore të Katarit, Hololei pranoi të udhëtonte me Qatar Airways nga Brukseli në Doha dhe sërish udhëtimet e tij u paguan nga qeveria e Katarit, sipas dokumentave.

Marrëveshja përfundimtare u dha linjave ajrore me bazë në Katar, përfshirë Qatar Airways, të drejta uljeje në shumicën e destinacioneve të BE-së. Në këmbim, EU Airlines mori të drejta reciproke për një treg prej më pak se 3 milion njerëz, por përmes një qendre aeroporti të Dohas, e vendosur në mënyrë strategjike midis destinacioneve kryesore europiane dhe Azisë.

Zëdhënësi i Komisionit tha se vizita e Hololeit në Katar nuk ishte pjesë e negociatave të transportit ajror BE-Katar, duke shtuar se ai nuk ishte “kurrë pjesë” e ekipit që negocioi marrëveshjen.

Megjithatë, Hololei drejtoi departamentin që po merrej me negociatat dhe vazhdimisht ka promovuar bashkëpunimin me Katarin për publikun.

Në shkurt 2019, ai vlerësoi “angazhimin e ndershëm dhe dialogun e hapur” midis Katarit dhe BE-së, dhe në qershor 2019 ai u takua me Ministrin e Transportit të Katarit, Jassim Saif Ahmed al-Sulaiti ku diskutuan marrëdhëniet midis Komisionit dhe Katar në sektorët e Aviacionit Civil dhe Transportit.

Hetimi i Politico vjen pas zbulimeve se Katari dhe Maroku dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha për të korruptuar ligjvënësit e BE-së për t’i shërbyer interesave të tyre në Parlamentin Europian.

Hetimi ka vënë në shënjestër zyrtarë të lartë të Brukselit, duke përfshirë deputetë aktualë dhe ish-deputetë dhe stafin e tyre.

Të ngjashme