Lajme
The Economist: Sa joefikase është ushtria ruse?
Demokracia
12:31 | 13 Maj 2022

Share:

Fuqia e ushtrisë moderne ruse, duhej t’i tregonte botës se presidenti Vladimir Putin e kishte rikthyer vendin në madhështinë e tij të dikurshme, pas poshtërimit që solli shembja e Bashkimit Sovjetik. Por në vend të saj, përparimi i dobët dhe humbjet e mëdha në Ukrainë, nxorën në pah problemet e thella që ekzistojnë brenda Rusisë.

Për ata që kërcënohen nga agresioni i Putinit, një ushtri e nënçmuar është një lehtësim. Mjerisht, ai është gjithashtu edhe një fakt, që e shtyn një fuqi të armatosur me armë bërthamore në pozitat e dëshpëruara, kur mund të dëshirojë të provojë diçka. Deri më tani, pushtimi i Ukrainës ka qenë një katastrofë për ushtrinë ruse.

Sipas qeverisë britanike, rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në më shumë se dy muaj luftime. Të paktën 1600 automjete të blinduara janë shkatërruar, së bashku me dhjetëra avionë dhe anije të flotës së saj në Detin e Zi. Sulmi ndaj kryeqytetit, Kiev, ishte një dështim kaotik, shkruan The Economist.

Lev Trocki shkroi dikur se “ushtria është një kopje e shoqërisë, ajo vuan nga të gjitha sëmundjet e saj, por zakonisht me një temperaturë më të lartë”. Luftimet në Ukrainën Lindore dhe Jugore do të përcaktojnë jo vetëm rrjedhën e luftës, por edhe sesa ushtria ruse mund ta shpëtojë disi reputacionin e saj.

Dhe atë të shoqërisë ruse. Një studim i thelluar i botuar nga “The Economist”, tregoi se sa joefikase është ushtria. Buxheti rus në fushën e mbrojtjes, me më shumë se 250 miliardë dollarë në aspektin e fuqisë blerëse, është afro 3 herë më i madh se ai i Britanisë së Madhe apo Francës.

Por pjesa më e madhe e tij shpërdorohet ose vidhet.

Putin dhe komandantët e tij kryesorë, nuk i informuan ushtarakët e tjerë në lidhje me planet e tyre të pushtimit, një dëshmi kjo e mungesës së besimit. Trupat e pakënaqura, dhe me racione ushqimore të skaduara, i braktisën mjetet e tyre ushtarake.

Njësitë e ushtrisë torturuan, përdhunuan dhe vranë vetëm për t’u lavdëruar nga Kremlini. Rusia ka dështuar të fitojë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, apo të kombinojë tanket, artilerinë dhe këmbësorinë me fuqinë e saj ajrore.

Thellësisht të korruptuar, të paaftë për të promovuar vetë-iniciativën apo për të mësuar nga gabimet e tyre, gjeneralët e frustruar rusë kanë hequr dorë nga doktrina e avancuar ushtarake dhe janë angazhuar sërish në aktivitete makabre si rrafshimi me themel i qyteteve dhe terrorizimi i civilëve.

Forcat ukrainase tejet të motivuara, janë një shuplakë e drejtpërdrejtë përballë këtyre dështimeve që ka pësuar Rusia. Pavarësisht se ishin më të pakët në numër dhe më pak të armatosur, ata i rezistuan ushtrisë pushtuese, duke e transferuar procesin e vendimmarrjes tek njësitë e vogla lokale, që merrnin vazhdimisht informacione të përditësuara.

Edhe nëse ofensiva ushtarake ruse, tanimë nën një komandë të vetme, do të fitojë terren në Donbas, kjo do ta bëjë këtë kryesisht vetëm për shkak të numrit të lartë të ushtarëve rusë. Por pretendimi i saj se është një ushtri moderne e sofistikuar, është po aq bindës sa tyta e një tanku që po ndryshket në mesin e një are në Ukrainë.

Për Putinin, ky është një dështim e hidhur. Sepse ndërsa ka nën kontroll një makineri propagandistike të frikshme, që e ndihmon në mbytjen e zërave kritikë, përshtypja e keqe që po bën ushtria ruse në këtë luftë, po e dobëson pozitën e tij në Rusi.

Sidomos pasi përdorimi i forcës ushtarake, është thelbësore në strategjinë e Putinit, për t’i dhënë Rusisë një rol udhëheqës në botë. Edhe pse Rusia është një vend i madh, ajo është në fakt një subjekt politik i mesëm, që dëshiron ende të jetë një superfuqi botërore.

Popullsia e saj renditet midis asaj të Bangladeshit dhe Meksikës, ekonomia e saj midis Brazilit dhe Koresë së Jugut, dhe pjesa e saj e eksporteve globale midis Tajvanit dhe Zvicrës. Ndërsa gëzon njëfarë simpatie në vendet e paangazhuara si Afrika e Jugut dhe India, fuqia e saj e butë është në rënie, e përshpejtuar nga shfaqja e saj e paaftësisë dhe brutalitetit në Ukrainë.

Për të kapërcyer hendekun midis fuqisë dhe aspiratave të tij – dhe për t’i rezistuar asaj që ai e sheh si një uzurpim të panevojshëm të sferës së ndikimit nga Shtetet e Bashkuara – Putin i është kthyer vazhdimisht sferës së vetme, ku Rusia mund të pretendojë ende se është një lojtare e klasit botëror:forcës ushtarake.

Gjatë 14 viteve të fundit ai ka pushtuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën (2 herë), dhe ka luftuar në Siri. Mercenarët e tij kanë luftuar në Libi, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan dhe tani në Ukrainë. Putini është një bullist global i fiksuar pas papërshtatshmërive të vendit të tij.

Një pozicion që bie ndesh me atë të Kinës, e cila ka ambiciet e veta të mëdha, por që deri tani ka mundur të arrijë rezultate konkrete duke përdorur fuqinë e saj ekonomike dhe diplomatike në rritje. Poshtërimi në Ukrainë, e minon pretendimin e fundit të Rusisë, për të synuar statusin e superfuqisë.

Lufta mund të vazhdojë ende, pro Rusia nuk do të jetë në gjendje të organizojë operacione të mëdha diku tjetër. Pajisjet, municionet dhe personeli po mbarojnë me shpejtësi. Rivendosja e fuqisë së plotë të trupave ruse, trajnimi i tyre për të shmangur gabimet në Ukrainë, mund të zgjasë me vite, transmeton CNA.

Nëse sanksionet mbeten në fuqi, pasi Putini është ende në pushtet, ky mision do të zgjasë edhe më shumë. Raketat ruse përbëhen nga shumë pjesë që deri dje bliheshin në Perëndim. Ikja jashtë vendit e rusëve të talentuar dhe mendje-hapur, do të peshojë shumë mbi ekonominë.

Ndërkohë, sa më pak që Rusia të mund të pretendojë të mbështetet tek fuqinë e saj ushtarake, aq më pak do të jetë në gjendje të dëmtojë pjesën tjetër të botës. Të gjithë këta janë elementë pozitivë. Megjithatë, pushtimi i Ukrainës përmban edhe leksione më pak qetësuese.

Së pari, ai tregon se në ndjekjen e kësaj strategjie Putini është i gatshëm të ndërmarrë rreziqe që për shumë të tjerë. Një rënie e mëtejshme e fuqisë ruse, mund të çojë në një agresion të ri edhe më të pamatur. Ajo që po ndodh në Ukrainë, tregon gjithashtu se në luftërat e ardhshme forcat ruse do të kryejnë mizori të tjera, në rast se nuk mund të dominojnë dot në fushën e betejës.

Një ushtri më e dobët ruse, mund të ishte edhe më brutale. Dobësia mund ta shtyjë Rusinë drejt përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore. Që nga fillimi i kësaj lufte, Putin dhe qeveria e tij, e kanë vënë vazhdimisht në dukje kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Putini është racional, në kuptimin që ai dëshiron që të mbijetojë regjimi i tij.

Për këtë arsye, mundësia e përdorimit të tyre mbetet ndoshta e pakët. Por ndërsa ushtrisë ruse po i mbarojnë opsionet konvencionale, tundimi për të përshkallëzuar konfliktin vetëm sa do të rritet.

Mesazhi për të gjithë botën, është se oportunizmi ushtarak i Putinit në Ukrainë, duhet të dështojë në sytë e oficerëve dhe strategëve të tij, në mënyrë që ata të mund të zbutin planet e tij të ardhshme kokëforta.

Një ngërç në Donbas, vetëm sa do të krijonte terrenin për një betejë të ardhshme, e cila mund të jetë edhe më kërcënuese se sot. Megjithatë, edhe nëse do të mposhtej, Putin do të mbetej i rrezikshëm. Mesazhi për NATO-n është se ajo duhet të përditësojë doktrinën e saj, që parashikon vendosjen e trupave parandaluese.

Kjo doktrinë bazohet në idenë se përpjekja e Moskës, për të pushtuar një pjesë të territorit të shteteve baltike mund të jetë e suksesshme në fillim, por do të degradonte në një luftë më të madhe, të cilën NATO në fund do ta fitonte.

Të ngjashme