Lajme
Tensionet me Rusinë, Blinken në udhëtim në Ukrainë e Gjermani
Demokracia
14:02 | 18 Janar 2022

Share:

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara njoftoi të martën se sekretari Antony Blinken do të udhëtojë drejt Kievit të Ukrainës dhe Berlinit të Gjermanisë, ku do të qëndrojë nga e marta deri të enjten.

“Udhëtimi vjen pas diplomacisë së gjerë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë për një qasje të bashkuar për ta adresuar kërcënimin që e paraqet Rusia për Ukrainën dhe për përpjekjet tona të përbashkëta për ta inkurajuar atë (Rusinë) që t’i zgjedhë diplomacinë dhe shtensionimin në interes të sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit.

Sipas njoftimit, kryediplomati amerikan do të takohet të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me homologun e tij nga Ukraina, Dmytro Kuleba për ta “përforcuar zotimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Të enjten, sekretari Blinken thuhet se do të udhëtojë drejt Berlinit për të diskutuar rreth kontakteve të fundit diplomatike me Rusinë dhe për “përpjekjet e përbashkëta për parandalimin e agresionit të mëtejmë rus kundër Ukrainës”. Në Gjermani, thuhet se shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me homologen gjermane, Annalena Baerbock.

Të ngjashme