Lajme
“Të ulën tensionet, të mos rrezikohen jetët e njerëzve”, SHBA-ja shpreson në një marrëveshje Kurti-Vuçiq të hënën
Demokracia
23:12 | 19 Nëntor 2022

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjatë ditëve në vijim, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke komentuar takimin e paralajmëruar për të hënën në Bruksel mes Kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe Presidentit serb, Aleksander Vuçiq; si dhe nëse Gabriel Escobar do të udhëtojë për në kryeqytetin evropian për të mbështetur palët në proces.

SHBA’ja thekson se i mbështesin përpjekjet e përfaqësuesve special të BE’së për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Në takimin e fundit Kurti-Vuciq që u zhvillua në gusht të këtij viti, nga SHBA-ja në Bruksel kishte udhëtuar edhe vetë emisari special i administratës së Biden për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar “për t’i dhënë mbështetje” takimit. Por, në vetëm pak më shumë se një ditë para takimit të së hënës, Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ende nuk ka paraparë ende ndonjë udhëtim të ngjashëm – por as nuk është përjashtuar të ndodhë si mundësi.

“Ne këtë moment nuk kemi asnjë udhëtim për të njoftuar”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, të shtunën në mbrëmje, në një bisedë për gazetën online Reporteri.net.

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë shqetësuese dhe rrezikojnë arritjet e deritanishme në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

I pyetur se cilat janë pritshmëritë nga takimi i paraparë të hënën, pikërisht në ditën kur hyjnë në fuqi masat e gjobave ndaj qytetareve serbë të Kosovës që nuk i kanë konvertuar targat në “RKS”, zëdhënësi amerikan tha se DASh shpreson “që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së”.

“Ne po i mbështesim në mënyrë aktive këto përpjekje”, thuhet në deklaratë.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, i tha gazetës online Reporteri.net, zëdhënësi i DASH’it.

“Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetë të pafajshme njerëzish dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, përsërit DASh.

Ndryshe, pas tre muajsh nga takimi i fundit, nën një krizë të shkaktuar në veri të Kosovës nga dalja e qytetarëve serbë nga institucionet e Kosovës pas nisjes së implementimit të fazës së “qortimit” për targat, të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Takimi që u thirr “me urgjencë” të premten nga shefi i BE-së Joseph Borrell pritet të ndodh pikërisht në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro për qyterarët serb të Kosovës që mbajnë targat ilegale “KM”, etj..

“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka njoftuar të premten, Peter Stano, zëdhënës i BE’së.

Nderkohë që nga Qeveria e Kosovës, të shtunën në mesditë, gazetës online Reporteri.net i kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në takimin që sipas tyre ka gjasa të ndodh edhe neser, të dielën.

“Me gjasë nesër [e diele] do të ketë një takim në Bruksel [mes Kurtit dhe Vuçiqit]”, tha të shtunën zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Nga ana tjetër, në prag të takimit Kurti-Vuciq në Bruksel, të premten vonë – sipas kohës lokale në Kosovë – Kryeministri Kurti e ka telefonuar Këshilltari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Ky i fundit ka njoftuar se kryeministirt kosovar i ka përseritur kërkesën e prerë amerikanë që t’a shtyjë për 10 muaj vendimin për targat në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i mëtutjemë i situatës në veri të Kosovës.

“Shtyrja e dënimeve për targat, mbajtja e hapur e derës për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në normalizimin e dialogut me Serbinë është rruga më e mirë për të avancuar integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka njoftuar Chollet t’i këtë thënë Kurtit në telefon.

Të ngjashme