OpEd
Të pangopshmit e djeshëm, arrivistët e sotëm
Demokracia
22:54 | 16 Qershor 2022

Share:

Shkruan: Skënder Berisha

Informacioni në kuptim të ngushtë të kësaj fjale, është si ajri, në kuptim të gjerë, është pasojë e fakteve dhe situatave të zhvilluara në kohë e hapësirë.

Për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, çdo kush informon, merr e jep informata, duke pasur në ndihmë makinat e paimagjinueshme më herët, rrjetet sociale. Aq më parë, ka informata të lehta që kollofitin autorin duke krijuar apo japin drejtim për opinionin.

Kohëve të fundit, kemi në media, opinion bërës të përçudnuar deri në mjerim, të cilët pas stërngopjes me favore e pozita në 23 vitet e shkuara në liri, kanë kaluar në analizën e ish qeverisjes së afërt apo edhe fazën e çlirimit.

Nuk do të ishin të mjerë disa nga ata, po të mos ishin farkëtar të arrogancës me nuanca që silleshin si padron të së vërtetës, guximit dhe diturisë, të gjithëdijshëm, gjithëkohshëm, gjithëpushtetshëm dhe gjithëpranishëm.

Kjo arrogancë që mund të quhet edhe grabitje, ju solli fruta të paimagjinueshme në karrierë, jetën shpirtërore dhe fizike me të cilat sot janë ngopur. Po këta tipa steril me vepra e të pasur me teknika servilizmi, shpërdorojnë durimin e kulturën e publikut, me ligjërata të ndiçme kundër keqpërdorimit të ish qeveritarëve, pikërisht për të cilët kanë kontribut të shënuar.

Për këtë dorë të njerëzve, Kosova është tokë e mundësive më të mëdha se vet Amerika.

Nuk do harruar këtu karrierën e jashtëzakonshme që disave ua solli zanati i përkthyesit, ku ndonjëri nga ta me 37 vite jetë, ka 20 vjet përvojë pune, me 20 vjet fyerje shteti, dy vjet lavdërime për Kosovën dhe kontot plotë pa ndërprerë, prej çlirimit e këndej.

Kosova është vend i bekuar sepse i jep rast çdonjërit me e pa numër personal të deklarohet si i mençur, ndërsa aty ku këtij numri i mungon sheshi i ballafaqimit të ideve, i del në ndihmë fusha e paimagjinueshme e rrjeteve sociale apo mejdani bjerrakohës ku rishfaqin gjenezën e vet origjinale, arrogancën dhe talentin uzurpator të të vërtetave të përjetshme.

Të ngjashme
OpEd • 22 Maj 2024