Lajme
Të mbijetuarit e masakrës së Reçakut rrëfejnë tmerrin e 15 janarit 1999
Demokracia
18:35 | 15 Janar 2023

Share:

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak në Komunën e Shtimes, u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht, fëmijë, të rritur e pleq. Të mbijetuarit e asaj dite, rrëfejnë për Radio Kosovën tmerrin e përjetuar të 15 janarit 1999.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë, pasi i kanë ndarë burrat e zënë, i kanë shtrirë për tokë dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende të tjera të forta.

Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadik Osmanit, mësuesit të fshatit Reçak, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, përderisa në bodrumin e shtëpisë, qanin gratë e fëmijët të mbyllur me çelës.

Kronika në vazhdim, e përgatitur nga gazetarja Majlinda Doda, sjell rrëfimin e të mbijetuarve të masakrës barbare në Reçak.

Kështu nisi mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Çdo janar për banorët e Reçakut, është i trishtë dhe i acartë, po si ajo ditë e 15 janarit 1999, ku 24 vite më parë, u vranë mizorisht 45 banorë të paarmatosur.

Ajo ditë, kthen në mendjen e të mbijetuarve, gjithçka të errët e të kobshme. Mbi pesë mijë forca policore ia kishin mësyrë fshatit Reçak duke krijuar një rrethim të hekurt rreth e qark fshatit, që në orët e hershme të mëngjesit, e duke mos lënë asnjë hapësirë për ikje të banorëve civilë. Gjatë këtij operacioni, forcat serbe nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.

Dëshmitarët e mbijetuar në rrëfimet e tyre për Radio Kosovën, thonë se rreth orës 6 e 30 minuta, forcat serbe, me artileri të rëndë, kishin filluar të granatojnë fshatin, nga disa drejtime: përkatësisht nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat”, “Rrasa e Çallakut” dhe nga “Çesta” përmbi Reçak.

Atë ditë, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë civilë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua e quajtur Saide, për të cilën dëshmitarët e gjallë theksojnë, se ajo ishte nisur për t’u bashkuar me ndonjë familjar në shtëpi, ndërkohë që rrugës është vrarë para derës.

E për të ndjerën Saide, dëshmitarët thonë se pasi janë larguar këmbësoria serbe, kanë dalë dy gratë më të vjetra për të parë çka po ndodh jashtë, dhe nga dera e kanë parë që një veturë “Niva” e policë serbe i kishte marrë trupin e të ndjerës dhe nga atëherë, më nuk dihet gjë për fatin e saj.

Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut është zhvilluar në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij, për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë.

24 vite pas, dhembja në Reçak është e njëjtë.

I mbijetuari i masakrës së Reçakut, Ramë Nesret Shabani, në këtë masakër ka humbur vëllain dhe 11 kushërinj të fshatit. Në një rrëfim për Radio Kosovën Ramë Shabani, çdo detaj të saj dite, e kujton me lot, dhimbje e trishtim.

“15 janarin e asaj dite e shoh sikur sot se jo 24 vjet më parë, se u kanë një tmerr i madh. U granat Cesta aty rreth 6.45. Aty e kam pasur nanën, më ka zgjuar prej gjumit, kemi dalë dhe jemi ardhur m’u zatet me bacën Sadik, edhe kemi kuvendu kah me ja mbajt, tek me ja mbajt. Na jemi taku në shpinë e Sadik Osmanit, shkaku se kjo ka qenë me bodrum, edhe mali ngatë. Ata e kanë grasatuar Cesten një herë, fshatin nalt d.m.th, që mos me ikë njerëzit po me nejtë poshtë në lug. Tani u hi këmbësoria aty te Sadiku. Aty janë kanë 30 e më shumë, ka pasur gra, burra, gra shtatzëna, fëmijë, çika jem u kanë më e vogla, 6 vjeçe. E kanë granatu shpinë dhe janë hi na kanë marrë, njëherë i kanë nxjerr burrat, unë jam kanë tjetër kund me gra edhe me bacën Sadik, burrat i kanë nxjerr te ahuri i lopëve edhe i kanë rreh, edhe neve na kanë marrë na kanë qitë jashtë e na kanë rreh. Stupci u thy në trup tonë”,deklaron Shabani.

Për të mbijetuarin e atij tmerri, Burim Sadik Osmani, ajo ditë, në minutat e fundit për jetën e tij, u kthye në mrekulli. Burimi, atë kohë 17 vjeç, nuk u shpëtoi maltretimeve e rrahjeve të forcave të pamëshirshme serbe, por i shpëtoi nisjes drejt “Kodrës së Bebushit”, që u shndërrua në luginë të vdekjes për të gjithë.

“Para se me ardhur ata në oborr, unë me Ramën kemi mbet jashtë në oborr nja dy orë në të ftohtë, të shtrimë në tokë, na kemi tentuar të shkojmë nalt, e kanë gjujt derën e katit të dytë e kanë rrëzuar komplet, e pluhuni që u bo, na e kemi shfrytëzu me hy në podrum poshtë. Me ka marrë halla, me ka ulë në prehen dhe më ka mbulu me një jakne, po komtë më mbetën jashtë, kur u hy i dyti mrena, ka thonë këtu paska terroristë, edhe u konë baba, Luta, Rama, Mufail Hajrizi. Ata i kanë qit jashtë menjëherë, e unë i mbulum më mbetën komtë jashtë, më kapi për krahi e më tha çu me dalë jashtë, knej halla me ngrehke, e ka kap automatikun ma ka shti në gojë edhe më ka thanë çuu, më ka ngre më ka qit jashtë”, ka thënë Burimi.

Burimi me dhimbje kujton, minutat e frikshëm të atij janari të acartë në oborrin e shtëpisë së tij.

“Në qosh të shpisë e kemi pasur një kosh ahuri edhe aty na kanë shti krejt komplet, tash aty u konë maltretimi i madh, që na kanë hallakat t’u i rreh e t’u i shtri në oborr para shpisë, durt mbrapa, e kryt në lloç, e njoni e gjet një far druni të teshave a s’di çka u kon, edhe ai që livritke kryt, i mshojke në kry me dru. Unë si i ri që jam dal prej aty edhe pse ka pasur edhe ma të rinj, isha në rend me u hallakat, m’u rreh edhe m’u shtri, t’u më shty, t’u më shty, mbeta i mrami në rend dhe krejt ato maltretime që janë ba, i kam pa me sy të mi. E kanë marr një dru të mgarit që e shkurtojmë në tre vena me ata na kanë rreh, edhe durt thojke qiti njo mi njo që kur të mshojke druni të kapke deri të krah e të lëshojshin kamtë, tani u bojshin tre a katër tu sjelë, kush nuk mujke me ec e ngrihshin zhag deri të mesi i oborrit me shtri. Unë nuk e di qysh e kanë çu nalt me ekzektu Mifail Hajrizin, se ata e pat lëshu trupi krejt”, deklaroi Burim Osmani.

Burimi në rrëfim tregon edhe shikimin e fundit me babën e tij, Sadikun, i cili ishte i shtrire në tokë, me duar të lidhura mbi kokë e fytyrë në baltë.

“I njëjti maltretim ka qenë për krejt e rremja, i vetmi unë në kambë mbeta i fundit. Më kanë majt edhe disa kohë qashtu edhe më kanë thanë hin mrena, e ku me hi mrena kur u konë plot policë. Unë hisha mrena, ata më qitshin jashtë, meta tu u shty herë anej herë knej. Unë nuk ju kam nda babës tem kurrë qysh prej ka fillu lufta, edhe jam koqit te dera, thashë unë me dek se me dek, bile po rri qetu, edhe ashtu me na pre pikë gjaku nuk qitke mo. Atëherë e mrama e të mramës, baba e ka çu kryt prej lloçit, edhe ma ka bo me kry që me hi mrena, e ai që u kon që iu mshojke në kry me atë drunin secilit që livritke, u ardhë të komtë e babës, po nuk i ka ra, edhe u largu, e masi u largu ai, unë jam hi mrena, s’ka vonu edhe pak na kanë mbyllë derën e podrumit me çelës”, deklaroi Burimi.

Pas kësaj drame tmerruese, pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, të gjithë djem e burra të Reçakut ishin urdhëruar në rresht për një, duke i nisur në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit”. Menduam që shpëtuam, thotë i mbijetuari i masakrës, Ramë Shabani, por aty ishte ferri i vërtetë. Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” njësitë kriminale serbe me rafalë automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, nga 45 viktima sa pati i tërë fshati. Me këtë rast nga ekzekutimi arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Imer Imeri, thotë ai.

“Ata e kanë marrë një sakicë me pre një dru edhe unë thashë qitu kanë me na pre. Se s’ka shpëtim, edhe dola i pari. Aty një komandant i Shtimes, iu tha që u kry aksioni edhe e kanë vetë sa janë, iu tha përmi 30. Edhe i thanë lëshoji. Edhe na tha bonu një ka një edhe me shku te UÇK. Tani qysh kesh i pari meta i mrami. Duart mbrapa jemi ngjit shpatit përpjetë, kur kam dal si në gjysmë, e kam kthy kryt me këqyr a po na vijnë përmasë, se gjuajtje ka pasur prej tana anëve e nuk e ke ditë çka po bohet. Edhe ju kam thonë o shkepnu mos t’na vrasin me një plumb se ishim në rend për një. E kam pi duhanin fort, kur kam dalë te gjysma e shpatit i kam thonë atyne hajde pe dhezim ka një cigare, Sadikut edhe një tjetrit, më thanë jo Ramë po dalim te veni nalt (aty ku u bo masakra), kur jemi dalë aty, unë jemi ulë, unë baci Sadik e baci Lutë. Unë jam ulë, edhe i kam nxjerr cigaret, a i kena dhezë a si kena dhez nuk e di, shkau na ka thonë përmasë çka po pritni edhe ka gju me një rend, ata dy i ka rrok, mu në rryp, në xhep, krejt gjak kryt, janë vra shumë veta, e unë s’jam vra”, tha Burimi.

Ai thotë se atë ditë këmbësoria e forcave serbe kishte qëndruar aty deri diku rreth orës 16 e 45 kur edhe kanë filluar të tërhiqen.

“Kam bo hygjym me shku poshtë ka shtabi e kena pas, kur jam dal, autoblidna veç kish pas mërri te shtabi e ma ka kthy grykën me më rrok. Prapë jam kthy te të vrarët, kam nejt deri në mbramje. Janë tërheq, më s’më kanë pa, kanë knu, 16:45 ja kanë nis me u tërheq. Kam dal e i kam këqyr, Ragipi u kanë pa zemër, dhomtë e thyem, ka pasur pa kry, pa pjesë të trupit. Unë jam konë më i riu që kanë pshtu në atë masakër, jam konë 31 vjet. Deri sa është tërheq këmbsoria kam nejt me një grup edhe unë më bacën Imer, kam nejt ngjit. Ragipit ja kam hek kapuçin prej gojës. Atë natë i kam këqyr krejt se e kam lyp vllaun tem e kusheri të katunit i kam pasur krejt. Ragipi e ka pas kapuçin në gojë, zemrën e nxjerrtë”, tha ai.

Atë natë, asnjë njeri nuk kishe vënë gjumë në sy, në shtëpinë ku ishin strehuar gratë e fëmijët që kishin shpëtuar, thotë Burimi.

“Të nesërmen e 16 janarit kanë filluar lëvizjet për te kodra ku ka ndodhur masakra. Kam tentuar të shkoj dy herë, s’më kanë la OSBE, e herën e tretë jam ngjit edhe s’kanë mujt me më ndal. 4 a 5 kanë qenë në fillim të lugut, i pari ka qenë Hakif Imeri, tani dy vllaznit, Luta, baba edhe rend të tjerët. Zoti ma dha forcën, unë i ri atë kohë m’u marr me sy të masakrum. U konë me mend me lu. Baba u konë në kthesë, kam shku deri te ai, ia kam hek një orë dhe një kimik me do dokumente, e që ora e kimiku sot janë në muze. Ai kimik prej torturave e të rrahurave që ia kanë bo, totalisht u konë i coptum, prej këmbëve e knej, qysh kanë gju ata nuk e di, veç baba krejt trupin bira-bira e ka pas, dhe komplet e ka pas të prishtë me sy, me hun me krejt. Jam kthy tani poshtë edhe i kam thënë hallës, krejt atje i kishim”, deklaroi mes tjerash Shabani.

Adem Ramadani, tani kryetar i fshatit Reçak, ndërsa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rrëfimi e tij të asaj dite thekson se nuk e dinte saktë se deri ku ishte rrethuar fshati i tij. Ai ishte plagosur pas shpine me snajper.

“Unë nuk e kam ditur se në cilën pjesë ka qenë i rrethekum Reçaku, e unë jam plagos atë ditë me snajper me një pjesë që e disha deri ku kanë mundur të jenë serbët ku i morëm informatat, edhe një pjesë hala ma nalt ish konë një rend tjetër i tyre e që se kemi ditë. Unë jam konë i plagosun shumë rëndë, por, qëllimi i trupit për me jetu, po i bajke disa mrekulli dhe më ka la hapësirë, nuk më ka rrok dhimta e madhe. Mu serbët më kanë lanë për të vdekt, por unë për disa sekonda kam qëndru qashtu edhe e kam pa që skam tjetër rrugëdalje se jam kon shumë rëndë i plagosun dhe kam prit mos ta kanë vëmendjen te unë. I kisha 50 metra prej rrezikut të madh edhe jam tërheq kadal kur më kanë prit ushtarët tanë”, deklaroi Ramadani

Ai thotë se burrat e asaj masakre kanë qenë me fat që janë vrarë me plumbin e parë, sepse tmerri ka qenë për të plagosurit, ku jeta u është marrë në mënyrën më mizore e të trishtë.

“Burrat që i kanë qit në kodër, meqë edhe vetë jam konë i plagosun. Po du me thënë se një fat pak më të mirë e kanë pasur ata që kanë vdekur me plumin e parë, në qoftë se i ka marrë në kokë, ose diku në organe të ndjeshme. Fatkeqësia më e madh u konë për ata njerëz që i ka rrok plumi e i ka lanë të paaftë dhe e kanë prit vdekjen në mënyrë më barbare, aty janë masakruar ata të plagosurit, këta që janë pa të vrarë ua kanë jep edhe nga një plumb në kokë për t’u siguruar e të tjerëve ua kanë marrë jetën me mjete të ftohta me thika e mjete të tjera”,tha Ramadani.

Një ditë pas ekzekutimit dhe masakrimit, me 16 janar të atij viti, për të treguar për krimin se çfarë kishte ndodhur, kishte shkuar shefi i Misionit verifikues të OSBE-së, William Walker. Bota u trondit nga imazhet e një krimi makabër i kryer mbi qytetarë të pafajshëm të Reçakut të Shtimes. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Ulliam Ualker, masakrën e Reçakut ia shfaqi botës, duke i thënë komunitetit ndërkombëtar se në Kosovë po kryhej gjenocid.

Walker kishte vazhduar rrugën drejt luginës, ku ishin trupat e masakruar. Në konferencën me gazetarë, ai kishte deklaruar se nga ajo që ka parë ishte një masakër dhe krim kundër njerëzimit. “Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, ka thënë Ualker.

“Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu”, ka dekalriar Walker.

Sot në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut, është ndërtuar edhe shtatorja e mikut të shqiptarëve, ish-ambasadorit William Walker.

Masakra e Reçakut nuk ishte as e para e as e fundit e kryer nga forcat serbe, por e veçanta e saj qëndron në jehonën që pati dhe u dëshmua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, duke ndikuar në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe. Edhe në këtë përvjetor, mendja dhe zemrat tona janë me të rënët dhe me familjarët e tyre. Janë me Reçakun, duke kujtuar sulmet e tmerrshme e rrëfimet rrëqethëse të atyre që mbijetuan. As sot, banorët nuk janë të qetë, ngase nga ajo ditë nuk është dënuar askush për krimin e bërë në këtë vend.

Deklaratat janë autentike të bashkëbiseduesve, RTKLive i ka lënë origjinale.

Të ngjashme