Lajme
Të marrësh kredi për lëmosha: Kritikat ndaj Qeverisë Kurti për reformimin e Skemave Sociale përmes kredisë
Demokracia
08:45 | 11 Korrik 2022

Share:

A ju ka ndodhur ndonjëherë që të merrni kredi për t’i dhënë lëmoshë dikujt? Natyrisht se jo. Por, një gjë të tillë po kërkon ta bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për këtë çështje ka marrë kritika të shumta.

Ekzekutivi po tenton që më anë të kredisë të avancojë përpara projektin e reformës së skemës sociale në Kosovë. Mirëpo kjo gjë po kritikohet në vazhdimësi duke bërë thirrje që të hiqet dorë nga ngulmimi për trafikimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

Marrëveshja e financimit në mes të Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, është marrëveshja e parë ndërkombëtare që ka dështuar të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Projekti për reformimin e sistemit të skemës sociale po bllokohet për shkak të mos-miratimit të kredisë me Bankën Botërore me vlerë prej 47 milionë eurove në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët që kjo marrëveshje ndërkombëtare të ratifikohet teksa pushteti kritikoi opozitën për mos-përkrahje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, pas dështimin të ratifikimit kishte thënë se marrëveshja është jetike për Qeverinë Kurti për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi.

“Për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e skemave sociale. E kemi parë jetike për me i ndihmu 318 mijë qytetarë ose përfitueseve të drejtpërdrejtë nga të cilët 25 mijë përfitues aktual të skemave sociale,” – kishte thënë Muja.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministrit, Avdullah Hoti, kishte kundërshtuar marrjen e kredisë.

“Kurrë, asnjëherë, Kosova nuk ka marrë kredi për të paguar paga apo asistencë sociale. Është kundër logjikës fiskale,” – kishte argumentuar ish kryeministri Hoti.

Për më tepër, eksperti i politikave sociale, Artan Mustafa, në një deklarim të mëparshëm për Nacionalen kishte thënë se Kosova nuk duhet të marrë kredi për reformim të skemës sociale.

Sipas tij, për këtë reformë Qeveria duhet të ndaj mjetet e nevojshme financiare.

“Më interesant se kundërshtimi opozitar, është përkrahja e Qeverisë së sotme ndaj projektit. Bazuar në emrin e saj dhe orientimin e majtë, Qeveria e LVV-së do të duhej të mendonte vetë për reformën e ndihmës sociale, dhe të mendonte nga një këndvështrim i majtë,”- ishte shprehur z. Mustafa.

Mustafa kishte kritikuar edhe mënyrën se si Qeveria dëshironte ta bënte këtë reformë.

“Qeveria duhet të heq dorë nga insistimi për të ratifikuar marrëveshjen e kredisë me BB,”

Instituti GAP në një analizë të publikuar me 26 qershor 2022 të bërë reformës për Skemën e Ndihmës Sociale ka thënë se marrja e kredisë prej 43 milionë eurove është e panevojshme dhe një precedent jo i mirë për të ardhmen

“Instituti GAP vlerëson se marrja e rreth 43 milionë eurove kredi për të paguar një pjesë të transfereve për familjet që janë pjesë e Skemës, është e panevojshme financiarisht dhe mund të shërbejë si precedent jo i mirë edhe në të ardhmen,” – thuhet në publikimin e tyre.

Edhe GAP-i po ashtu, ka rekomanduar qe qeveria duhet të heq dorë nga insistimi për ratifikimin e kësaj marrëveshje për kredi me Bankën Botërore.

“Me qëllim të reformimit më të shpejtë të SNS dhe aprovimit të Ligjit të ri për SNS, qeveria duhet të heq dorë nga insistimi për të ratifikuar marrëveshjen e kredisë me BB, ose ta ndryshojë atë duke marr kredi dhe ekspertizë vetëm për asistencë teknike që lidhet direkt me reformën dhe jo transfere sociale. Në të kundërtën, kjo mund të shndërrohet në praktikë të dëmshme në të ardhmen, duke marr parasysh presionet buxhetore si pasojë e rritjes së buxhetit për skemat sociale dhe kërkesat për rritjen e pagave në sektorin publik,” – thuhet në analizën e GAP.

Nacionale ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Ndryshe Kosova për çdo muaj ndan para për mbi 400 mijë kosovarë nëpërmjet 15 skemave të ndryshme sociale

Në Kosovë shuma më e ulët e përfitimit nga një skemë sociale është 100 euro për muaj, ndërsa shifra përfituese më e lartë arrin tek afër 630 euro për muaj.

Të ngjashme