Lajme
Të dëmtuarit nga vërshimet kërkojnë kompensimin e dëmeve
Demokracia
21:52 | 08 Mars 2023

Share:

Ndihmë nga Qeveria po presin banorë të komunave të cilët pësuan dëme të konsiderueshme nga vërshimet muaj më parë. Ndërsa ekzekutivi ka sqaruar se është në pritje që të bëhen plotësimet dhe përmirësimet e kërkuara nga të gjitha komunat e prekura, në mënyrë që të mund të procedohen pastaj lëndët për miratim.

Kanë kaluar gati dy muaj prej kur vërshimet ua dëmtuan e shkatërruan shtëpitë, e banorët e Skenderajt ende po presin kompensim për dëmet.

Ajshe Bajraktari nga fshati Klinë e Skenderajt, së cilës vërshimet ia dëmtuan shtëpinë, thotë se dëmet u detyruan t’i riparojnë vetë.

“Kurrkush s’ka ardhë me na ndihmu. Një herë pos 120 euro, tjetër sen…Na po presim prej tyre, ndoshta ka edhe me keq, po edhe për ne keq se është vendbanimi që banojmë qaty”, tha Bajraktari

Në pritje të ndihmës është edhe familja Imeri e cila ka mbetur pa kulm mbi kokë.

Shtëpia e Jetullah Imerit është rrënuar dje nga Komuna pasi është vlerësuar si e pabanueshme.

Shtëpia e Jetullah Imeri në fshatin Tushilë të Skënderajt është shkatërruar pothuajse tërësisht pas vërshimeve në këtë zonë.

Familjarët kanë thënë prapa kamerave se dje komuna ka rrënuar tërësisht shtëpinë e tyre pasi ishte pothuajse e shkatërruar nga vërshimet.

Të njëjtit janë vendosur në shtëpinë e familjarëve të tyre derisa Komuna të ua bëj një zgjidhje.

Nga Komuna e Skenderajt kanë vlerësuar se edhe dy shtëpi të tjera do të rrënohen pasi paraqesin rrezik për banim, teksa dëmi total nga vërshimet në këtë komunë arrin mbi 12 milionë euro.

“Janë bërë tashmë dy javë prej kur komisioni komunal ka dorëzuar kërkesën dhe po presim që qeveria të ndihmojë familjet pasi që është kohë e dimrit, kohë e ftohtë dhe familjet kanë nevoje që të ndihmohen”, tha zëdhënësi i Komunës, Amir Lushtaku

Nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për RTK-në, kanë thënë se i kanë shqyrtuar lëndët e Komunave të Skenderajt dhe Klinës. Sa i përket Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Istogut, ato, sipas Qeverisë, ende nuk i kanë përmbushur obligimet ligjore në mënyrë që lëndët e tyre të shqyrtohen nga komisioni qendror.

Kurse në rastin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, komisioni ka vërejtur se dokumentacionet nuk janë të kompletuara, me ç’rast i është kërkuar kompletimi i tyre.

Sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, Qeveria është në pritje që të bëhen plotësimet dhe përmirësimet e kërkuara nga komunat e tjera, në mënyrë që të mund të procedohen pastaj lëndët për miratim.

Të ngjashme