Lajme
Takimi në Shkup, Kurti në një “tavolinë” edhe me personin që ia “prezantoi” masat kundër Kosovës
Demokracia
13:57 | 20 Janar 2024

Share:

E hëna dhe e marta e javës që po vjen padyshim që do të jenë interesante sa i përket zhvillimeve politike. Krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Shkup. Atje do të ketë edhe përfaqësues nga partnerët ndërkombëtarë, kjo pasi do të diskutohet për planin e rritjes së rajonit. I pranishëm do të jetë edhe drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman. Çka na kujton ky emër?

Koopman i ka pasur nja-dy takime me zyrtarë qeveritarë, por, ai na i kujton masat e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës. Ishte 14 qershori 2023 kur veç se ishte konfirmuar që po përgatiten masa kundër vendit tonë.

Por, ishte 27 qershori 2023 kur pikërisht Koopman, do të jepte më shumë detaje mbi këto zhvillime, e madje, do t’i “prezantonte” ndëshkimet me të cilat do të përballej Kosova.

Për t’ua rikujtuar, këto masa ishin vendosur pas eskalimit të situatës në veri të vendit me vendosjen e kryetarëve nëpër objektet komunale, dhe “dështimin”, siç kishte thënë BE-ja, e kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa konkret për deeskalim.

“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen.” –kishte thënë fillimisht ai në një takim me ministra të BE-së.

Më pas, Koopman, do të tregonte që edhe ngjarjet e vizitat e nivelit të lartë, do të pezullohen:

“Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.”

Derisa Kosova vazhdon të jetë nën masa, kryeministri Kurti në vazhdimësi ka bërë thirrje për heqjen e tyre, dhe me shumë gjasë, do të veprojë njëjtë edhe në një takim të mundshëm në Shkup.

Kurti ndërkaq, ishte takuar një herë me Koopman në maj të vitit 2023, kjo para vendosjes së masave dhe para tensioneve në veri të vendit.

Ndërkohë, sipas një njoftimi në Zyrën e Kryeministrit, ai kishte zhvilluar një takim edhe në tetor të vitit 2023, por kësaj here me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Aty, thuhej se ishin përmendur edhe pengesat që i janë vënë Kosovës.

“Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka performuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, andaj është momenti që Kosovës t’i hiqen pengesat në rrugëtimin drejt BE-së.” – shkruante në njoftim.

Të ngjashme