Lajme
Takimi Kurti-Scholz akoma në fazën e planifikimit
Demokracia
20:03 | 25 Tetor 2023

Share:

Burime të Albanian Post brenda Qeverisë së Gjermanisë kanë thënë se takimi i paralajmëruar mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz në margjinat e samitit të liderëve evropianë (26 dhe 27 tetor) në Bruksel të Belgjikës është akoma në fazën e planifikimit dhe së këndejmi, asgjë nuk është e sigurt.

“Në këtë pikë ende nuk mund të hyjmë në detaje për bisedimet specifike në margjina, sepse siç është përmendur më herët, planifikimi është ende duke rrjedhur”, ka thënë të mërkurën një burim brenda ekzekutivit gjerman, duke iu referuar takimit potencial mes Kurtit dhe Scholzit për të diskutuar rrugën përpara.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë ftuar të marrin pjesë në takimin e liderëve evropianë për mbështetjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në margjinat e samitit të liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ku pritet të diskutohet për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

E burime të Albanian Post kanë kujtuar se kancelari Scholz është përfshirë personalisht në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për një kohë të gjatë, ndërsa kanë sugjeruar që gjithçka tjetër duhet t’i lihet në dorë rrjedhës së kohës dhe vijimësisë së samitit të Këshillit Evropian.

“Gjithçka tjetër në këtë drejtim mbetet për t’u parë nesër dhe pasnesër”, ka thënë një burim brenda Qeverisë së Gjermanisë, duke mos dhënë shtesë lidhur me takimet dhe temat që pritet të trajtohen në kuadër të samitit të udhëheqësve të 27 shteteve anëtare të BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi në fundjavë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç nuk kanë folur shumë, por sipas informacioneve që kanë ardhur nga BE-ja, diplomatët evropianë kanë prezantur një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura për normalizimin e marrëdhënieve në shkurt dhe mars të këtij viti.

Të ngjashme