Lajme
“Takimi i parë s’ishte i lehtë, pastaj Kurti e Vuçiq u mësuan ta dëgjojnë njëri-tjetrin pa u ofenduar”
Demokracia
13:16 | 22 Korrik 2023

Share:

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me të cilin është i ngarkuar.

Ai nxori detaje për takimet që mbahen në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak tha se takimin e parë dy udhëheqësit e kishin të vështirë, por se më pas u mësuan të komunikojnë duke e dëgjuar njëri-tjetrin.

“Si Kurti, ashtu edhe Vuçiq e dinë se për çfarëdo që të bien dakord, qytetarët do ta shohin me kujdes. Për shkak të këtij presioni, u desh kohë për të zhvilluar një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të mos pajtohen me respekt, në vend që të ofendojnë”, tha Lajçak për gazetën austriake “Kurier”.

I pyetur për kritikat se është i njëanshëm në dialog, ai përgjigjet se prioriteti i tij është paanshmëria.

“Marrëdhëniet midis BE-së dhe Serbisë janë komplekse, siç janë marrëdhëniet midis BE-së dhe Kosovës. Puna e paanshme është prioriteti im,” tha Lajçak.

Lajçak u pyet gjithashtu edhe për qëndrimin e pesë shtetet anëtare të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai u përgjigj se këto shtete janë duke e përcjellë me vëmendje epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sido që të jetë rezultati, ai do t’i prekë ata. Por të gjithë duan normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështesin marrëveshjen e marsit”.

Të ngjashme