Lajme
Tahiri: Ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët, përpjekje e paramenduar e Kurtit për të krijuar krizë identitare
Demokracia
18:55 | 23 Nëntor 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë me buxhetin, dhe ligjshmërinë, por është përpjekje e paramenduar e kryeministrit Albin Kurti për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj.

Në një postim në  rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se me uljen e pagave për prokurorët e gjyqtarët në fakt nuk është jo vetëm përpjekje, por edhe përndjekje, e cila nuk duhet të lejohet.

“Në së paku 10 vjetët e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një perspektivë ku organet e drejtësisë punojnë të pavarura, të pandikuara, të paanshme, që zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç e përcakton Kushtetuta, dhe që për punën e tyre marrin kompensim adekuat e meritor. Sot, kjo perspektivë u përmbys, nga kryeministri që po përmbysë çdo gjë të mirëfilltë, përballë mësymjes jo konvencionale me të cilën ai i është qasur qeverisjes”, ka shkruar Tahiri.

Gjithashtu, Tahiri thotë se në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato, madje jo vetëm për gjyqtarë e prokurorë, por për të gjithë sektorin publik.

“Ky vendim ka edhe një dimension kritik institucional e kushtetues, sepse përmes tij është hedhur baza për regres në besimin e paanshmërisë, përkushtimit dhe drejtësisë institucionale, si dhe janë cenuar parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit të tretë. Përpjekja për ta subordinuar këtë pushtet përmes uljes së pagave dhe lojës me paga, në fakt është jo veç përpjekje. Është në radhë të parë përndjekje. Kjo s’mund dhe s’duhet të lejohet”, përfundoi Tahiri./demokracia.com

Postimi i plotë:

Të ngjashme
Lajme • 26 Prill 2024