Lajme
Tahiri: Kryeministri po i izolon qytetarët e Kosovës, e deputetët po i bëjnë fushatë në Shqipëri
Demokracia
12:02 | 12 Prill 2021

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën ka theksuar se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën dhe vet ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka quajtur këtë mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

“Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore. Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, Qeveria Kurti ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është adresë e qytetarëve dhe e vetmja gjë që ka bërë është një urdhër për izolim, derisa deputetët e partisë së tij kanë dalë në fushata zgjedhore në Shqipëri.

“E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore. Ajo që është edhe më shqetësuese – është se tashmë kemi hyrë në një periudhë që konsiderohet si sezon pune dhe iniciativë ekonomike, ku bizneset, punëtorët dhe ndërmarrësit bëhen aktivë për të gjeneruar punë dhe për të bërë planet e tyre vjetore”, ka deklaruar ai ndër të tjera.

Tahiri tha se për fat të keq Kosova është vendi i fundit në rajon që i ka marrë vaksinat dhe se gara për vaksinat është për të shpëtuar jetë e jo për teket ditore të kryeministrit.

“Për fat të keq, Kosova është jo vetëm vendi i fundit në rajon, por është në mesin e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit. Dhe kjo nuk është çështje e thjeshtë, sepse gara për vaksina është garë për të shpëtuar jetë, e jo për të përshtatur teket ditore të një Kryeministri”, tha Tahiri./Demokracia/

 

Të ngjashme