Lajme
Syla nga Sindikata e Shëndetësisë: Me këto 100 euro vetëm sa stimulohet edhe më shumë ikja e mjekëve
Demokracia
14:54 | 12 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së martë ka prezantuar masat e reja në kuadër të pakos mbështetëse.

Shefi i ekzekutivit ka njoftuar se për muajin prill punëtorët e sektorit publik, privatë, studentët dhe përfituesit e skemës sociale do të përfitojnë nga 100 euro shtesë.

“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat. 100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro”, ka thënë Kurti.

Kurti ka treguar se nga kjo masë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

Por, shuma prej 100 euro nuk do ta ndalojë ikjen e punëtorëve shëndetësor. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se shuma prej 100 euro për muajin prill vetëm do ta stimulojë ikjen e punëtorëve të sistemit shëndetësorë.

“Jo që nuk mundet të ndalojnë, por kjo po tregon jo perspektivë dhe po stimulon ikjen e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, por çka është edhe më e keqja edhe ikja e mjekëve nga sektori publik në atë privat, duke i falënderuar këtyre politika po dobësohet sistemi publik”, ka thënë Syla për Demokracia.com.

Syla ka thënë se për greva dhe protesta vendosin organet më të larta të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Të kujtojmë se vetëm për tre muajt e parë të vitit 2022-të, 62 mjekë janë larguar nga Kosova. /Demokracia.com/

Të ngjashme