Lajme
Sveçla jep detaje nga sulmi terrorist i 24 shtatorit
Demokracia
14:59 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media, së bashku me kryeministrin e vendit Albin Kurti.

Ai aty ka ndarë disa detaje rreth sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të kryer nga një grup terrorist serb më 24 shtator.

“Qëllimi i Serbisë ishte të aneksohet veriu i vendit tonë, po ashtu grupi terrorist është mbështetur, përkrahur, dhe ka lidhje direkte prej Serbisë. Grupi terrorist është ushtruar dhe përgatitur për sulm në poligone të rregullta dhe të kontrolluara të Ushtrisë së Serbisë si dhe është furnizuar me armatim ushtarak nga depot e saj”, u shpreh Sveçla, raporton Klankosova.tv.

Ai tutje tha se si institucione kanë ofruar fakte të mjaftueshme që sipas tij konfirmojnë organizimin e Serbisë për të realizuar këtë sulm paramilitar terrorist, ndërsa shtoi se informacione kanë ndarë edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Mes tjerash, ministri tregoi disa të dhëna që tregojnë se institucionet dhe zyrtarët e vendit janë sulmuar 114 herë në veri të vendit nga viti 2021, ku gjithashtu tha se këto sulme janë kryer nga struktura ilegale e terroriste të cilat sipas tij këto veprime janë ndërmarrë me shtytjen e shtetit serb.

“Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 deri sot institucionet dhe zyrtarët janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë. Angazhimet hetimore të policisë në zbardhjen e sulmeve dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me të njëjtat struktura ilegale e terroriste që me shtytjen dhe ndihmën e Serbisë janë angazhuar për destabilizimin e vendit tonë. Pra, struktura të njëjta terroriste janë përfshirë në barrikada, ku shumë prej kamionëve të barrikaduar kanë pasur brenda eksploziv dhe mjete tjera shpërthyese në sulmin ndaj KKZ-së, në sulmin ndaj zyrtarëve policorë, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në sulmin ndaj mediave, ndaj djegieve të veturave, dhe në sulmin terrorist në Banjskë”, deklaroi Sveçla.

Në këtë konferencë, ministri ka shfaqur edhe pamje të sulmit të 24 shtatorit, shumica nga të cilat ishin publikuar edhe më parë, por edhe pamje të reja ku shihen fotot e bllokadës, incizimet e sulmit me zolla, momentin kur njësitet policore janë afruar për të asistuar policët të cilët kishin rënë në pritë, të cilët u sulmuan nga grupi terrorist.

Shefi i MPB-së, gjithashtu tregoi fotografinë e parë të terroristëve, ku shihet vetura në mbështetje të grupit terrorist, deri te vendosja e barrikadës në urë.

“Është bërë edhe identifikimi i momentit të hyrjes (së grupit terrorist) në territorin e Republikës së Kosovës, përmes kalimit kufitar zyrtar në Jarinje”, tha Sveçla.

Ai gjithashtu shfaqi pamje të reja të cilat tha se dëshmojnë se si me anë të dronit, terroristët serbë në vazhdimësi kanë vëzhguar pozicionet e Policisë së Kosovës, në momentin kur realisht sulmi kishte ndodhur.

Sveçla mes tjerash tregoi rrugën që agresorët përdorën për të ikur nga Manastiri i Banjskës, ku disa nga ta udhëtuan me këmbë, disa me vetura, me mjete të blinduara, njëra nga të cilat është braktisur 2 km më në veri të territorit të Kosovës, raporton Klankosova.tv.

Ministri shfaqi edhe fotot e sekuestrimit të armëve nga sulmuesit, ku ceku se aty është edhe një simbol ku sipas tij dëshmon lidhjen e Serbisë me ata që i drejtuan pushkën Kosovës me 24 shtator.

“Këtu është një logo e cila është slogani i cili po përdoret nga institucionet e Serbisë në manifestime të ndryshme: ‘Kur ushtria e Serbisë të kthehet në Kosovë’. Kjo është edhe një dëshmi për lidhjen e fushatës së Qeverise së Serbisë dhe këtij grupi terrorist”.

Aty ai vuri në dukje edhe armët e sendet e tjera, të lëna pas nga terroristët, e të cilat janë gjetur ditëve pas sulmit. Ai tha se këto armë kryesisht janë të prodhim serb, të vitit 2022. Ndërsa pllaka e antiplumbit prodhim i gushtit 2023.

Kreu i Ministrisë së Brendshme, rikujtoi edhe një herë identitetin e tre terroristëve të ekzekutuar më 24 shtator, ku njëri nga ta i cili quhet Bojan Mihajloviq, ishte truproje i ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb (BIA), Aleksandar Vulin.

Në sulmin terrorist në Banjskë ishin pjesëmarrës edhe dy vëllezër, ku njëri nga ta i cili quhet Danijel Gjukiq, shihet në një foto së bashku me djalin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Është e çuditshme se si djali i një presidentit mund të ketë kësi afërsie me dy vëllezër të cilët, jo vetëm në Kosove janë të kërkuar për trafikim të narkotikëve, por janë të dënuar në Serbi për trafikim të sasive të mëdha të drogës atje”, u shpreh Sveçla.

Për fund, ai tregoi edhe një dëshmi nga droni i sekuestruar, ku shihen pamje se më datë 31 gusht të këtij viti, grupi terrorist ka vëzhguar pozicionimin e Policisë së Kosovës, me idenë e planifikimit të sulmit ndaj tyre.

Të ngjashme