Lajme
Sveçla dhe policia me standarde të dyfishta të “largimeve” për vrasjen e gruas shtatzënë dhe dhunimin e 11-vjeçares
Demokracia
16:55 | 03 Dhjetor 2022

Share:

Ministri Xhelal Sveçla dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës po përdorin standarde të dyfishta.

Rasti i dhunimit të vajzës së mitur 11-vjeçare, që u përdorë nga Qeveria Kurti për largimin e disa komandantëve policorë si “pastrim politik”, përfshirë edhe largimin e Drejtorit të Policisë, muaj më parë e ka shokuar opinionin publik. Por, tani vrasja e gruas shtatzënë, Hamide Magashit, në oborrin e QKUK-së, përsëri e tronditi vendin.

Pas këtyre rasteve, institucionet shtetërore vepruan duke shkarkuar, e suspenduar zyrtarët e rendit. Megjithatë, për vrasjen e gruas shtatzënë u suspendua vetëm një komandant i stacionit policor të Lipjanit dhe tre zyrtarë policorë. Ndërsa, për dhunimin e të miturës u përfshi hierarkia e lartë, si ish-drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, i cili një ditë pas rastit kishte dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e tij, siç kishte mësuar Demokracia.com, erdhi pasi i ishte kërkuar nga Sveçla.

Dorëheqje për rastin e 11-vjeçares kishte dhënë edhe Ali Gashi nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur. Por, ky funksion nuk ushtrohej fare prej tij.

Po ashtu, ishin larguar edhe komandanti i rajonit të Prishtinës dhe shefi i operativës.

Ndërsa, për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), suspendoi të shtunën vetëm komandantin e stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues.

Shteti në këto raste përdori standarde të dyfishta. Hamide Magashi ishte nën mbikëqyrjen e organeve të rendit. Autoritetet në Ferizaj kishin lëshuar urdhrin e mbrojtës që ia ndalonte Sokol Halilit t’i afrohej bashkëshortes së tij, në distancë prej 50 metrash. Halili ishte i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe kishte aktakuzë për dhunë në familje.

Sokol Halili më 30 nëntor në oborrin e QKUK e ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, Hamide Magashi. /Demokracia.com/

Të ngjashme