Lajme
Sulmohet një bazë e trupave amerikane në Siri, gjashtë luftëtarë kurdë të vdekur
Demokracia
18:08 | 05 Shkurt 2024

Share:

Një sulm me dron të dielën vonë vrau gjashtë luftëtarë kurdë, në një bazë ku gjenden trupat amerikane në Sirinë Lindore. Është sulmi i parë i madh në Siri apo Irak që kur SHBA-ja nisi sulmet hakmarrëse gjatë fundjavës kundër milicive të mbështetura nga Irani, ka raportuar Associated Press.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja e të udhëhequra nga kurdët, thanë të hënën se sulmi goditi një terren trajnimi në bazën al-Omar në Deir el-Zour, provincë lindore e Sirisë, ku stërviten njësitë komando të forcave. Nuk u raportua për viktima në mesin e trupave amerikane.

Një grup i milicive irakiane të mbështetura nga Irani, i quajtur Rezistenca Islamike në Irak, publikoi një video duke marrë përgjegjësinë për sulmin dhe duke shfaqur lëshimin e dronit nga një vend i paspecifikuar.

Në fund të janarit, një sulm me dron nga i njëjti grup vrau tre trupa amerikane dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një bazë në shkretëtirën e Jordanisë. Ushtria amerikane nisi dhjetëra sulme hakmarrëse të synuara mbi grupet militante të mbështetura nga Irani në Irakun Perëndimor dhe Sirinë Lindore, e cila gjithashtu goditi Houthit në Jemen.

SDF-i fillimisht akuzoi “mercenarët e mbështetur nga regjimi sirian” për sulmin e së dielës, por në deklaratën e dytë fajësoi “milicitë e mbështetura nga Irani” pasi hetimit të sulmit.

Grupi ka nisur dhjetëra sulme me dronë ndaj bazave dhe trupave ushtarake amerikane në Irak dhe Siri dhe ka bërë thirrje për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga këto dy vende. Sulmi ndodhi teksa po vazhdojnë tensionet në Lindjen e Mesme, në mes të luftës Izrael – Hamas, e cila nisi më 7 tetor pas një sulmi befasues të militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit.

Ndërkohë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se të paktën shtatë luftëtarë të SDF-it u vranë dhe të paktën 18 të tjerë u plagosën në sulmin e së dielës. Sulmi erdhi dy ditë pasi ushtria amerikane kreu sulme në Siri dhe Irak kundër militantëve të lidhur me Iranin. SDF-i ka thënë se ka të drejtë t’i kundërpërgjigjet sulmit.

Ushtria amerikane tha se të dielën ka shkatërruar katër raketa anti-anije që po synonin anijet e saja në Detin e Kuq. Raketat ishin bërë gati të lansoheshin nga zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.

Në një deklaratë të hënën, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se sulmet ishin vetëmbrojtje dhe u kryen pasi forcat përcaktuan se raketat “paraqisnin kërcënim për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon”.

Sulmet e së dielës erdhën një ditë pasi SHBA-ja dhe Britania nisën një valë të dytë sulmesh kundër Houthive, që synonin të ndalonin përpjekjet e grupit për të sulmuar anijet e tyre në Detin e Kuq. SHBA-ja dhe Britania thanë se goditën 36 objektiva nga Houthive.

Të ngjashme