Lajme
Sulmi me granatë dore në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës, arrestohet personi i dyshuar
Demokracia
16:30 | 06 Shtator 2023

Share:

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se ka arrestuar personin i cili dyshohet se javë më parë, hodhi granatë dore në oborrin e shtëpisë së kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni.

Deri tek arrestimi i të dyshuarit sipas Prokurorisë ka ardhur pas një hetimi intensiv.

“Pas një hetimi intensiv të kësaj prokurorie në bashkëpunim me policinë, është arrestuar personi i dyshuar me iniciale F.B., për shkak të veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” etj.

I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës”, thuhet në njoftim.

Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.

Mbrëmjen e 30 gushtit, shtëpia e kryesuesit të Bordit të Trepçës ishte sulmuar me një mjet shpërthyes.

Hyseni e kishte konfirmuar vetë lajmin për Telegrafin, duke thënë se nuk kishte pasur persona të lënduar.

“Mbrëmë, rreth orës 01:00 pas mesnate, në shtëpinë time është hedhur një granatë dore. Ne kemi qenë në shtëpi, për fat të mirë nuk kemi pas lëndime apo diçka, vetëm dëme materiale, një veturë e djalit është e dëmtuar dhe vetura ime”, kishte deklaruar Hyseni.

Të ngjashme