Në Shtetet e Bashkuara çdo i rritur preket nga i virusi i të ftohtit, zakonisht një ose dy herë në vit. Ai shfaqet përgjithësisht me simptoma të lehta, por sipas disa studime të reja prekja nga i ftohti i zakonshëm, mund të ofrojë mbrojtje ndaj një virusi shumë më të rrezikshëm, siç është koronavirusi.
Për këtë arsye, shkencëtarët në Kolegjin Imperial të Londrës vendosën të testojnë një teori: se një tip qelizash të bardha të quajtura qelizat T, të cilat i prodhon trupi për të luftuar të ftohtin e zakonshëm, mund të ofrojnë një nivel mbrojtjeje.
“Infektimet e mëparshme me koronaviruset e të ftohtit normal, pra këta janë kushërinj të largët të SARS-CoV-2 që shkakton COVID-in, mund të gjenerojnë qeliza T që do të ishin në gjendje të identifikojnë dhe të sulmojnë virusin SARS-CoV-2. Kjo është teoria që filluam të testojmë”, thotë Ajit Lalvani, profesor në Kolegjin Imperial të Londrës.
Studimi filloi në shtator 2020, përpara se të fillonin programet e vaksinimit masiv, dhe përpara se shumica e njerëzve të ishin infektuar nga COVID-i.
Shkencëtarët testuan gjakun e 52 personave që jetonin në të njëjtën shtëpi me një person të infektuar nga virusi SARS-CoV-2 që shkakton COVID-in. Gjysma e tyre u infektuan me COVID, por gjysma jo.
“Ata që kishin paraprakisht qeliza T të gjeneruara nga virusi i të ftohtit të zakonshëm, të cilat mund të diktonin dhe të sulmonin SARS-CoV-2, nuk u infektuan”, thotë zoti Lalvani.
Vaksinat e tanishme janë projektuar për të krijuar një përgjigje imunitare ndaj proteinave në gjembat e strukturës së jashtme të koronavirusit, të cilat mundësojnë mutacionet dhe shmangien e sistemit imunitar.
“Ndërsa qelizat mbrojtëse T që ne zbuluam orientohen kundër proteinave në bërthamën e virusit, proteinave të brendshme. Dhe këto proteina ndryshojnë shumë pak. Pra, gjetjet tona ofrojnë mundësinë për prodhimin e një vaksine universale që gjeneron qelizat T për të mbrojtur njerëzit kundër varianteve të tanishme dhe të ardhshme të COVID-it”, thotë zoti Lalvani.
Ky është një lajm ngazëllyes, por prodhimi i një vaksine të tillë është ende larg.
Ndërkohë, autorët e studimit theksojnë se askush nuk duhet t’i mbajë shpresat se infektimi nga i ftohti i zakonshëm do t’i ofrojë imunitet ndaj COVID-it dhe thonë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë.